‘Tronditet LDK-ja’, dy dorëheqje brenda ditës

Dita e martë e 14 marsit e ka gjetur Lidhjen Demokratike të Kosovës të pambuluar në dy funksione të larta zyrtare: atë të njërës pozitë të nënkryetarit dhe të zyrtares për media – raporton Neutral.

Këto pozita kanë mbetur vakante për shkak të dy dorëheqjeve të njoftuara publikisht sot.

Sibel Halimi, që ushtronte funksionin e zëdhënëses dhe Shqipe Mjekiqi, ish-nënkryetare e partisë, kanë dhënë dorëheqje nga postet që mbanin në LDK.

Ato e kanë braktisur LDK-në dhe Lumir Abdixhikun, liderin e ri të partisë që u kishte besuar atyre dy pozita të larta në strukturat partiake, dy vjet pasi ishin prezantuar si të përzgjedhurat e kryetarit në procesin e reformimit të Lidhjes Demokratike.

Mjekiqi ishte emëruar nënkryetare e LDK-së më 20 mars 2021.

Në atë kohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e kishte cilësuar aderimin e Mjekiqit si “motiv i aktivizimit politik për të rinjtë dhe të rejat” e vendit tonë.

Dy vjet më vonë, Mjekiqi është larguar pa e bërë të ditur motivin.

Dorëheqjet e tyre ndërlidhen me pakënaqësitë e brendshme në partinë e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, lideri i ri i partisë, thonë burime të afërta me Lidhjen Demokratike.

Në letrën e dorëheqjes, ajo është shprehur se do vazhdojë “të kontribuojë në zhvillimet politike në vend duke mbetur anëtare e devotshme e LDK-së”.

“Këtë muaj bëhen dy vjet nga zgjedhja ime në strukturat udhëheqëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e plot 17 vjet angazhimi për LDK-në. Siç e dini, zgjedhja ime u bë në një kohë mjaft të vështirë, atëherë kur partia kishte marrë vetëm 13 për qind të votave në zgjedhjet e shkurtit”, ka thënë ajo.

Më parë, Mjekiqi ka shërbyer si këshilltare e ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe, për një kohë të shkurtër edhe si pjesë e kabinetit të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Pas dorëheqjes së Mjekiqit, Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet pa asnjë grua në funksionin e nënkryetarit. Tre nënkryetarët e tjerë të partisë janë Anton Quni, Gazmend Muhaxheri dhe Lutfi Haziri.

Ndërkaq, Sibel Halimi, një sociologe nga Ferizaj, ishte anëtarësuar në LDK më 21 mars 2021 dhe ishte prezantuar me admirim nga kryetari Abdixhiku.

Në korrik të vitit 2021, asaj i ishte besuar nga partia kandidatura për kryetare të Ferizajt. Në këtë garë zgjedhore, Halimi kishte dal e treta me 4.557 vota të fituara, ose 9,36%.

Para dhe pas garës zgjedhore, Halimi kishte mbajtur tërë kohës funksionin e zëdhënëses së partisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *