Policia e konfirmon, konfiskohet një motobarkë në pronësi të Radoiçiqit

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se është konfiskuar një motobarkë në pronësi të Milan Radoiçiqit, i cili dyshohet për përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ku mbeti i vdekur një polic. 

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, njoftoi se bastisja u zhvillua në Zveçan.

“Sot gjatë ditës policia ka kryer një bastisje në Zveçan dhe ka konfiskuar një motobarkë (skaf) që dyshohet të jetë pronë e Milan Radoiçiqit, i cili njëherësh është i dyshimtë për involvim në rastin Banjska”, tha Elshani.

Në dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit e ka sanksionuar Radoiçiqin, bashkë me Zvonko Vesellinoviqin, vëllain e tij, Zharkon dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Ndryshe, sot u raportua se INTERPOL-i ka lëshuar fletarrest për Radoiçiqin, por një gjë e tillë akoma nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *