Kurti i thuri lavde Gjingjiqit, Haki Abazi: Shkrimi i tij është mashtrim dhe deformim i fakteve historike

Deputeti Haki Abazi ka reaguar pas përkujtimi që kryeministri, Albin Kurti i bëri ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në 20 vjetorin e vrasjes.

Abazi ka shkruar në Facebook se i gjithë shkrimi i Kurtit është mashtrim dhe deformim i fakteve historike, pasi Gjingjiqi nuk kishte fare mendim ndryshe për Kosovën nga Millosheviqi e liderët tjerë serb që erdhën pas ti.

Ai në shkrimin e gjatë shkroi se Kurti i thurë elozhe Gjingjiqit ndërsa shkruan shkarravina për si Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin, Mark Krasniqin, Anton Çettën, Zekiria Canaën, Xhemajl Mustafën, Enver Malokun e Afrim Loxhën.

Postimi i plotë:

Serbisht për Oliverin- Shqip për Djindjic, çfarë do të shkruaj për dreqin e madh!
Kurti paska shkruar Shqip për Zoran Djindjic. Kur foli Kurti në gjuhën Serbe për vrasësin (sipas gjykimit të UNMIK/ EULEX) multikulturalist Oliver Ivanovic, foli nga shtëpia e demokracisë, dhe tha se kur flet në gjuhën Serbe, nuk i flet popullit shqiptar. Urdhër ekzekutiv se kur dhe si duhet ndëgjuar njeriun që e kemi veshur me pushtet!
Por, paska shkruar shqip për Obrenoviçët dhe Djindjicin, dmth kësaj radhe duhet të marrim vesh, paska folur për parlamentin, qytetarët, diasporën sepse ka shkruar Shqip.
I paska kushtuar një elozhe, një lapidar fjalësh, paska hedhur kurora lulesh, njeriut që në leximin teorik ishte demokrat sepse nuk ishte pajtuar me Millosheviçin se çfarë kishte bërë me Serbinë. Fakti historik është i qartë që ky mospajtim rezultoi me rënien e Millosheviçit sepse ai i vodhi zgjedhjet dhe Serbët e frustruar e rrëzuan nga pushteti njeriun që ishte fytyra e politikës fashiste Serbe. Deri në vitin 2000 kishin ndodhur pesë luftra dhe mbi 250 mijë njerëz të vrarë. Dy herë NATO kishte bombarduar forcat Serbe brenda një dekade. Në rastin më të mirë Djindjic ishte përfituesi më i madh i të gjitha viktimave dhe vuajtjeve të Shqiptarëve, Boshnjakëve, Kroatëve… Nuk ishte Djindjic produkt i vetëdijes së lartë demokratike Serbe. Nuk ishte ai Vàclav Haveli i Serbisë!
Shkrimi i Kurtit është mashtrim dhe deformim i fakteve historike, është tentim për të kamufluar veten si një internacionalist i rajonit që në tryezën e munguar ku ulën vajtuesit e vegjëlisë së përvuajtur flasin për aftësinë për të gjetur edhe heronjët e armikut. Kjo është vogëlsi, ky është akt i turpërimit me një inferioritet të paparë. Rehabilitim pa nevojë!
Sa herë Djindjic ka kërkuar falje për vrasjen e Shqiptarëve, për kamionat frigorifer në lumenjët e Serbisë apo për varrezat masive në Batajnicë? Ai i ka pasë në tavolinën e tij të gjitha dosjet e këtyre veprimeve dhe ka vendosur të heshtë dhe të luaj lojën bizare të njohur të elitave Serbe.
Sa herë Djindjic ka shkruar për madhështinë e Adem Demaçit, mandelës së shqiptarëve në ish- Jugosllavi, fituesit të çmimit Saharov. Apo për Kurtin Demaçi është për konsum të brendshëm dhe duhet të mirëmbaj konfliktin e figurave si Rugova e Demaçi për të rezervuar për veten vendin e njeriut mbi heronjët që nuk ”meritojnë” lavdin dhe lavdinë e Serbisë demokratike.
Po, pse Kurti nuk shkroi një elozhe, nuk bëri një video me thellësi mbrapa për Ibrahim Rugovën, as në ditën e lindjes dhe as në ditën e vdekjes!
Kurti më parë pranon të shkruaj e të flet mirë për një Serb të vdekur si Oliver Ivanovic dhe të shkarravisë një Shqiptar që është i djathtë sipas tij se sa të përfshijë në diskursin publik në shkallën e rëndësisë historike një figurë si Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Mark Krasniqi, Anton Çetta, Zekiria Cana, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Afrim Loxha…
Djindjic është vrarë sepse ka tradhëtuar marrëveshjen me djallin që kishte bërë për të ardhë në pushtet. Ai premtoi që nuk do të prekte ushtrinë dhe nuk do të reformonte strukturat nëse ata nuk do intervenonin në rrëzimin e Milloseviçit. Pas ardhjes në pushtet, Ai me ministrin e tij të mbrojtjes, tentuan që të rrëzonin strukturat ushtarake që poashtu ishin tradhëtuar nga Millosheviçi që duket që i kishte vendosur nën komandën e grupeve paramilitare dhe njësiteve vrasëse speciale. Kjo ka sjellur deri tek vrasja e Djindjic dhe as edhe një element pro shqiptarë, apo liberal-demokratik.
Në përvojën time si Drejtor për gjithë Ballkanin Perëndimor, në vitin 2007 në një takim me bashkëpunëtorin e ngushtë të Djindjic, ai refuzon të
përshendetet me dorë për të dërguar mesazhin tek udhëheqësit, që një shqiptar nuk mund të pranohet si drejtor për gjithë Ballkanin përfshirë edhe Serbinë. Ky ishte Srdja Popovic në zyrën e zëvendës KM të Serbisë Djelic. Srdja ishte një ndër themeluesit e Lëvizjes OTPOR, një nacionalist-fashist dhe urrejtës i Shqiptarëve-miku i ngushtë i Djindjic. Srdja u bë lobisti më madh dhe ideatori i çnjohjeve të Kosovës…
Njejtë me të gjithë që ishin në pushtet me Koshtunicën dhe mandej me Tadic e që në ditën e shpalljes së pavarësisë dogjën me urdhër Ambasadën e SHBA-ve në Beograd. Këta mund të meritojnë elozhe nga Kurti por jo nga Kryeministri i Kosovës.
Në asnjë konstalacion një elozhe për Djindjic apo këdo nuk mund të vendoset në të njejtin tekst me familjen Jashari dhe një javë pasi të jetë ulur në tavolinën e larë me lot të nënë Ferdonijës. I bie që dhimbja e heroizmi kombëtar po paralelizohet më heroizmat Serb për të fituar pozitë internacionaliste rajonale në lojërat politike. Aq më pak që të zhdukurit nuk u përmendën në marrëveshjen bazë, ballafaqimi me të kaluarën është zëvendësuar me tejkalimin e së kaluarës dhe kompensimi i dëmeve dhe sukcesionit as që është pjesë e ndonjë bisede.
Përderisa vakumi është evident në kanalet diplomatike dhe dështimi për të qenë prezent e strategjik edhe me njerëz edhe me letra, aty ku duhet, në kancelaritë botërore,aty ku Serbia po formëson pozicione për të ndërtuar pozicionin e partnerëve ndërkombëtar, Kurti ndalon aktivitetin, pasivizon veprimet dhe merret me elozhet për heronjët e armikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *