Gjendja e rrugëve pas reshjeve të borës, Ministria e Brendshme del me njoftim

Reshjet e borës kanë zbardhur rrugët e Kosovës mëngjesin e së shtunës.

Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar ka njoftuar se pavarësisht borës që ka rënë, të gjitha rrugët në pikat kufitare janë të kalueshme.

Sipas të dhënave të publikuar nga kjo qendër, magjistralet që shpien në kufi, janë të kalueshme, nuk raportohet për borë, akull, mjegull apo rrëshqitje dheu.

Ndërkaq, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius.

Ndryshe, Policia u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të kenë kujdes të shtuar në trafik me fillimin e sezonit dimëror.

“Policia e Kosovës apelon për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar për fillimin e sezonit dimëror ku ndryshimet atmosferike janë të pranishme. Sigurohuni që gomat e mjetit tuaj janë ndërruar para fillimit të sezonit dimëror, gjithashtu presioni i ajrit të tyre duhet të jetë sipas rekomandimeve të prodhuesit, në temperaturat e ulëta!”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *