Bislimi indinjohet me vlerësimin e Brukselit, citon raporte tjera ku Kosova rangohet “më mirë se disa shtete të BE-së”

Kosova ka bërë hapa të duhur dhe të mëdhenj në zhvillim, sipas Besnik Bislimit, i cili dje e mori raportin e BE-së që thotë se vendi në fakt nuk ka përparuar sa duhet. I pabindur, zëvendëskryeministri tha se do të ketë diskutim për “kualitetin e vlerësimit” në këtë raport, pasi “situata në terren është shumë më e mirë”. Ai tha se Kosova në disa raporte të tjera rangohet “më mirë se disa shtete të Bashkimit Europian”.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Europian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi pati vërejtje për vlerësimin e sivjetmë të Komisionit Europian për Kosovën.

Shefi i zyrë së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog të mërkurën pasdite ia dorëzoi atij raportin e vlerësimit, përmbajtjen e të cilit Bislimi e kontestoi në një konferencë të përbashkët për media pas takimit.

Ndërsa Komisioni Europian vlerësoi se Kosova nuk ka bërë sa duhet, Bislimi tha se “jemi duke i bërë hapat e duhur në rrugën drejt të ardhmes europiane”, ndërsa foli për angazhim serioz të Qeverisë dhe arritjet “në terren”. Ai tha se “ka arsye për diskutim” për “kualitetin e vlerësimit” dhe shtoi se këtë do ta bëjnë pasi ta kenë lexuar raportin në detaje.

“Raporti për vendin tek sundimi i ligjit thotë që ka pasë progres të limituar, por të gjitha këto rangimet ndërkombëtare e qesin Kosovën jashtëzakonisht mirë”, tha Bislimi.Ai mori shembull indeksin e sundimit të ligjit të Projektit të Drejtësisë Botërore, që siç tha ai, “Kosovën e vendos në pozitën e 57, që është më mirë se një, dy, tri shtete të Bashkimit Europian. Tash në qoftë se një vend si Kosova ka ‘limited progress’ në sundimin e ligjit, si i bie ta kenë situatën këto tri shtete që veç janë në Bashkimin Europian? Kosova në këtë indeks është plot 35 pozita më mirë se Serbia”, tha Bislimi.

As një ndërhyrje e shkurtër e Szunyog i cili tha se cilësimi progres i limituar “nuk është notë e keqe”, nuk e ndali Bislimin të vazhdonte ta shprehte pakënaqësinë me vlerësimin.

Kosova e ka filluar më së voni rrugëtimin e saj drejt BE-së, kujtoi Bislimi. “Andaj edhe kur ti bën hapa të mëdhenj, në raport me gjendjen ku ndodhet Bashkimi Europian, ata mund të duken hapa të vegjël”, shtoi ai. Nganjëherë, siç tha ai, “progresi mund të duket i limituar, mirëpo në terma të përqindjes, ai është i madh”.

“Nuk mundesh me thënë investimet janë rritur 88% dhe progresi i limituar, nuk mundesh me thënë 400% është rritur numri i pronave që janë transferuar te gratë dhe progresi i limituar, nuk mundesh me thënë që numri i shërbimeve në ‘e-Kosova’ është rritur nga 21 në 220 dhe progresi i limituar”, tha Bislimi.

Ai u shpreh i indinjuar veçanërisht me vlerësimin që e ka marrë Serbia sivjet.

“Çfarë statusi ka Serbia në raport me BE-në dhe çfarë vlerësimi ka në raportin për vendin? Është 31 pozita më lart se Shqipëria, 30 më lart se Ukraina, të cilës sot i janë hapë kapitujt. Për shembull, tek Transparency International – te lufta kundër korrupsionit thuhet që Kosova është në fazat e hershme të përgatitjes – por Kosova qëndron më mirë sesa të gjitha vendet e Ballkanit, dhe atë qëndron 36 vende më mirë se Ukraina, 21 vende më mirë se Serbia, 16 më mirë se Shqipëria, 25 më mirë se Bosnjë e Hercegovina. Por raporti thotë ‘early stages’. Unë po dua të tregoj se situata në terren është shumë më e mirë sesa që ti mund të vlerësosh në bazë të një projektligji të aprovuar ose dy”, tha Bislimi.

Zëvendëskryeministri përmendi edhe vlerësimin e “Reporterët pa Kufij”, ku “Kosova është më mirë se Polonia, Bullgaria, Hungaria, Qiproja, Malta, Greqia, të gjitha këto janë vende të Bashkimit Europian”. Aty, Bislimi tha se Kosova “është 21 vende më mirë se Hungaria, është 33 pozicione më lart se Serbia, është 49 pozicione më lart se Greqia”. “Por aty (në raportin e BE-së) thotë ‘moderately prepared’”, tha Bislimi. “Tek Indeksi i Demokracisë Liberale, është më mirë se 2 shtete të Bashkimit Europian, është plot 34 vende më mirë se Serbia, është në vendin e 70”, shtoi ai.

Bislimi tha se “është mirë ta bëjmë këtë dallim”, pasi siç tha ai, “jo gjithmonë gjithçka është me saktësinë më të plotë”, krahasuar me situatën “në terren, kur i sheh efektet e masave të ndërmarra”.

“Reformat e brendshme në sundimin e ligjit, qeverisja e mirë, progresi ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe përkushtimi në bashkëpunimin rajonal, konfirmojnë se jemi duke bërë hapat e duhur në rrugën drejt të ardhmes europiane”, tha zëvendëskryeministri, duke kërkuar heqjen e masave ndëshkuese, që sipas tij “do ta kthente motivimin”.

“Largimi i masave ndëshkuese nga ana e BE-së, do ta kthente motivimin dhe përshpejtonte edhe më shumë reformat. Ky seriozitet i angazhimit, do të rritet shumëfish edhe më tej kur Kosova ta pranojë statusin e vendit kandidat, përmes të cilit rruga e Kosovës drejt BE-së do të bëhet edhe më e qartë e edhe më e prekshme. Kosova vazhdimisht ka dëshmuar se është aleate e BE-së, sepse ajo beson në të ardhmen e vet europiane”, shti ai.

Bislimi kërkoi që procesi i anëtarësimit në BE “të jetë në plotni i bazuar në meritokraci” dhe shtoi se “nuk mund të flasim për meritokraci përderisa Kosova nuk është formalisht duke u vlerësuar se a i plotëson kriteret e Kopenhagës”.

Ai përmendi edhe mosnjohjen e plotë nga vendet anëtare të BE-së. Tha se kjo “vazhdon ta dobësojë pozicionin e BE-së jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”.

Në fushat të cilat i mbikëqyr Komisioni Europian, është vlerësuar se Kosova ka bërë “progres të kufizuar”. Ky vlerësim është dhënë në raportin e sivjetmë për luftën kundër korrupsionit, funksionimin e gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe lirinë e shprehjes.

Në raport kryesisht thuhet se nuk ka pasur sa duhet rezultate.

Raporti i KE-së vlerëson se Kosova ka dështuar në reformimin e administratës publike dhe se në këtë fushë “nuk ka pasur përparim”.

Vlerësohet reforma e ligjit zgjedhor dhe si ploblem i vazhdueshëm theksohet puna në Kuvend, si pasojë e mungesës së kuorumit, megjithëse Lëvizja Vetëvendosje e ka shumicën e nevojshme.

Raporti ka dhënë disa vërejtje serioze edhe në fushën e lirisë së mediave. Aty janë përmendur sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, problemet me financim të mediave që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve të interesave politike apo financiare, dhe jotransparencën e pronësisë së mediave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *