ZRRE deklarohet për aktgjykimin e Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dje të drejtë Gjykatës Supreme lidhur me Aktgjykimin përmes së cilit iu dha të drejtë qytetarëve për të kërkuar kompensim për faturimin që u është bërë për disa vite për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore. Nga Zyra e Rregullatorit për Energji kanë folur për Express se si do të veprohet tutje.

Qytetarët që me vite të tëra janë faturuar për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore, do të mund të kërkojnë kompensim. Aktgjykimi i Supremes që u jep të drejtë për këtë, është vërtetuar dje edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka publikuar Aktgjykimin lidhur me kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Gjykata, njëzëri, konstatoi që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) Aktgjykimi [Arj.nr.116/2022] i 9 marsit 2023 i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces te rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Këtë Aktgjykim tashmë e kanë pranuar edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji, të cilin po e analizojnë.

Në një përgjigje nga ZRRE kanë deklaruar se “pavarësisht se ky aktgjykim është mjaft kompeks”, ky institucion do t’i kryej detyrat e saj konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren,

“Zyra e Rregullatorit për Energji ka pranuar aktgjykimin nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në rastin KI103/23. ZRRE është duke e analizuar këtë aktgjykim dhe do të shqyrtoj të gjitha opsionet e mundshme ligjore që i ka në dispozicion në lidhje me këtë rast. Pavarësisht që ky aktgjykim është mjaft kompleks, ZRRE-ja do ti kryej detyrat e saj konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren, opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në përgjigje.

ZRRE’ja kishte kërkuar nga Kushtetuesja sqarime se si duhet të veprohet në këtë rast, meqë në Aktgjykim vetëm kërkohet nga ZRRE që të ndërmerr veprime për ta obliguar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes që të bëj kthimin e shumës së faturuar, por nuk specifikohet forma e mënyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *