Vitia: Na duhet Ligji për FAM, do t’u mundësonte shumë çifteve e grave që ta kryejnë në QKUK e të mos harxhojnë mijëra euro

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se Ligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor është i domosdoshëm, meqë rregullon edhe mbikëqyrjen, edhe ligjshmërinë, edhe sanksionimin e atyre që mund të kenë problem në realizmin e kësaj procedure, që me Udhëzimin Administrativ që aktualisht është në fuqi, nuk rregullohen.

Vitia ka deklaruar se miratimi i këtij ligji do t’u mundësonte shumë çifteve e grave që të kryejnë këtë proces në QKUK, e të mos shpenzojnë mijëra euro nëpër spitale private, brenda dhe jashtë vendit, raporton Express.

“Nga leximi i parë, ne kemi pranuar disa amandamente nga disa deputetë të pozitës dhe të opozitës. Natyrisht se disa i kemi vlerësuar dhe i kemi adaptuar për leximin e dytë, mirëpo disa kërkesa që janë natyrisht, por disa kërkesa janë problematike sepse i humbë komplet edhe arsyeshmëria edhe gjithë ajo që po mundohemi ta bëjmë. Po e përsëritti atë që e kam thënë disa herë më herët, do t’u mundësonte shumë çifteve, shumë grave në Republikën e Kosovës që ta kenë një proces të mirë në sistemin publik e të mos harxhojnë me mijëra euro qysh janë harxhuar sot, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë”, deklaroi Vitia.

Sipas tij, për këtë Projektligj ka keqkuptime. Kundër këtij projektligji kanë dalë edhe disa deputetë të Vetëvendosjes.

“Është një keqkuptim i madh edhe një debat në një masë edhe i ekzagjeruar në këtë raport. Ka mungesë të informacioneve në këtë raport. Ne po mundohemi që ta shtyjmë një ligj përpara i cili e rregullon edhe mbikëqyrjen, edhe ligjshmërinë, edhe sanksionimin e atyre që mund të kenë problem në realizmin e kësaj procedure e që fatkeqësisht me udhëzimin administrativ aktual asnjëra nga to nuk rregullohen. Gjithsesi na duhet ligji”, ka thënë Vitia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *