“U pshtetëm për muri, s’mujtëm mo”, drejtori i kompanisë “24 Yjet” flet për shtrenjtimin e biletës së autobusëve

Ngritja e çmimit të derivateve bëri që të ngriten edhe çmimet e biletave të autobusit.

Linja e autobusit Prishtinë-Hajvali që kushtonte 50 centë, tani e tutje çmimi i saj është ngritur për 10 centë, pra 60 centë.

Në biletën që një qytetar e ka publikuar në rrjetin social Facebook shihet qartë se ai ka paguar 60 centë në këtë kompani private.

Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar drejtorin e kompanisë në fjalë “Sh.A 24 Yjet”, Gani Sinani, ku i njëjti ka thënë se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër.

“Ne kemi bërë ankesë 3-4 herë në Drejtori të Shërbimeve Publike, të kryetari i Prishtinës, te nënkryetarja, u pshtetëm për muri e shtymë, derisa më nuk mujtëm”, tha fillimisht Sinani për Reporteri.net.

Tutje, drejtori i kompanisë “Sh.A 24 Yjet”, u shpreh se vet si kompani kanë marrë vendimin për shtrenjtimin e biletës, nga 50 në 60 centë.

“Vendimin e kemi marrë vet, po pasha zotin, prit disa muj mo s’mujtëm, ose m’i çu puntorët nëpër shpija ose me mbyll, s’patem rrugë dalje tjetër, te shohim tash qysh po reflekton Komuna. Nuk kishim asnjë mundësi me u mbulu, pritëm prej komunës, tash te shohim”, përfundoi drejtori i kompanisë “24 Yjet”, Gani Sinani.

Lidhje me këtë shtrenjtim dhe vendim të kompanisë në fjalë, kemi kontaktuar edhe Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu por që i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Ndërkohë një rritje e çmimit të biletës është paralajmëruar edhe në Trafikun Urban.

Ani pse Komuna e Prishtinës ende nuk ka marrë këtë vendim, ngrija e çmimit të biletës, sipas drejtorit të drejtorisë për shërbime publik, Ilirik Musliu, është kërkesë edhe e BERZH-it që çmimi të ngritët meqë trafiku urban e ka të pamundur të operojë me koston të cilën ka.

“Po, po diskutohet është një kërkesë, është problematikë të cilën jemi duke e ballafaquar tash të gjithë. Realisht, kërkesa edhe e BERZH-it që çmimi të ngritët për arsye që edhe Trafiku Urban nuk mundet me operua me koston të cilën e ka, shpenzimet të cilat i ka dhe me çmimin të cilën ne si komunë e paguajmë tek Trafiku Urban për kilometra të cilët ata bëjnë”, thotë ai për RTK-në.

Musliu bëri të ditur edhe çmimin e biletës të cilën pritet të jetë në Trafikun Urban.

“Po mendojmë që edhe Trafiku Urban bileta të jetë nga 0.40 centë sa është tash, pra në 0.50 centë, njëjtë sikur tek sektori privat që është për momentin. Andaj një ngritje prej 10 centë ndoshta ka një arsyeshmëri edhe logjikë në kushtet edhe në momentin të cilën tash ata po veprojnë”, pohoi ai, ditë më parë.

Komuna e Prishtinës bën të ditur se ky çmim prej 40 centë, do të vazhdojë deri në një vendim tjetër, ndër sa do të mbetet në fuqi vendimi për lirimin nga pagesa të disa kategorive, siç janë ushtarët e FSK-së, Policia e Kosovës, zjarrfikësit dhe nxënësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *