Nga 7 të arrestuarit e fundit për llogari të rastit ‘Brezovica’, janë arrestuar edhe dy vëllezër nga Prishtina, Gëzim dhe Salih Sinani të cilët po dyshohen për veprën penale të “Fajdesë”.
Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim për të arrestuarit gjatë ditës së djeshme në rastin e njohur si ‘Brezovica’. Ata janë: Berat Lahu, Shukri Shabani, Gani Berisha, Sami Sinani, Labinot Vitia, Gëzim Sinani dhe Salih Sinani.
Gëzim Sinani, dyshohet për veprat penale “Dhënia e ryshfetit në ndihmë”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, e gjithashtu edhe bashkë më vëllanë e tij Salihun dyshohen edhe për veprën penale të fajdeve.
Por dy vëllezërit ishin bërë lajm edhe me parë.
Në prillin e vitit 2020 ata ishin parë në një foto në fshatin Bajgorë të Mitrovicës, bashkë më vëllanë e ish – presidentit Hashim Thaçi, Nazmi Thaçin, Shefin e Njësive Speciale të Policisë, Amir Gërguri, dhe Burim Buleshkaj, atë kohë Drejtori i Burgut të Dyzit, e persona të tjerë, aty ishin përdorur edhe armët.
Takimi i asaj kohe kishte bërë bujë të madhe edhe për faktin se ahengu i këtyre personave kishte ndodhur duke i thyer rregullat e pandemisë të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.