Sulmet ndaj KFOR-it, dhuna dhe shok-bombat: Çfarë dihet deri më tani nga tensionet në veri?

Sot rreth orës 16:30 ka ndodhur një përleshje mes serbëve të tubuar dhe KFOR-it. U hodh gaz lotsjellës.

KFOR-i kërkoi që të lirohet kalimi që veturat e Policisë së Kosovës të largohen nga vendi përballë komunës, gjë që serbët nuk e kanë lejuar, përkundër thirrjeve të Listës Serbe.

Ata kërkojnë që të gjitha forcat speciale të largohen nga ndërtesa. Siç raporton portali serb Kossev, pjesëtarët e KFOR-it filluan të shtyjnë me dhunë njerëzit, përfshirë edhe gazetarët që ishin në rreshtat e parë. Të tubuarit kundërshtuan. Më pas është hedhur gaz lotsjellës dhe supozohet se është bërë nga KFOR-i.

U hodhën shok-bomba, gaz lotsjellës, si dhe gurë dhe shishe. U dëgjuan të shtëna armësh dhe shpërthime, transmeton Syri.

Pjesëtarët e KFOR-it arritën ta shtyjnë turmën aq shumë saqë i nxorën autoblindat e kapura të Policisë së Kosovës. Disa pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar, ndërsa nuk dihet se sa të lënduar ka në anën tjetër. Gjithashtu në afërsi të objektit të komunës është djegur edhe një veturë e huaj zyrtare. Serbët që janë përleshur me KFOR-in janë tërhequr deri në stacionin e taksive në Zveçan. Ka të paktën një ambulancë.

Deri më tani, nga drejtimi i Zveçanit në Mitrovicë të Veriut kanë ardhur së paku tri auto-ambulanca, ndërsa nga Mitrovica e Veriut në Zveçan janë nisur edhe disa autoambulanca. Situata tani është qetësuar deri diku, por herë pas here hidhen ende sasi të vogla të shok-bombave.

Në një udhëkryq, jo shumë larg komunës në Zveçan, përballë një kafeneje lokale, një shok-bombë ka rënë rreth gjysmë metër para një gazetari të agjencisë Tanjug.

Ai është lënduar lehtë në pjesën e këmbës, ka pësuar gërvishtje dhe dhimbje të forta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *