SPAK-u kërkon autorizim për arrestimin e Sali Berishës

Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, është vënë nën lupën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që shkurtimisht njihet si SPAK. Ky institucion, që po heton Berishën për korrupsion, tashmë ka bërë edhe një levizje të re. Sipas mediumeve në Shqipëri, SPAK-u ka kërkuar autorizim për arrestimin e Berishës, ish-liderit të demonstratave që rrëzuan komunizmin në Shqipëri.

Sipas Top Channel-it, të hënën do të mblidhet Këshilli i Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e Berishës, që aktualisht është deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

“Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, do të zhvillohet në datën 18.12.2023, ora 12.00, në Kryesinë e Kuvendit. (Urdhër nr. 69, datë 12.12.2023, i Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla).” – thuhet në njoftimin e Kuvendit, transmeton Top Channel.

Në kërkesën e dërguar, SPAK-u shkruan se Berisha nuk ka respektuar vendimin për paraqitjen në polici. Në shkresë shpjegohet se Berishës i është ndaluar përdorimi i pasaportës.

“Me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur ndër të tjera, vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 112 datë 20.10.2023 ndaj personit nën hetim Sali Berisha, duke u urdhëruar ky i fundit të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10.00 para oficerit të policisë gjyqësore, pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe urdhërimi i këtij shtetasi të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr.Penale dhe ndalimi i përdorimit të pasaportës dhe dokumentave të tjera idnetifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.

Referuar proces verbaleve datë 06.11.2023, 20.11.2023 dhe 04.12.2023 të mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore/hetuesi, para të cilit duhet të paraqitej personi nën hetim Sali Berisha, rezulton se ky i fundit, nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, duke mos u paraqitur asnjëherë para policisë gjyqësore”, argumenton Prokuroria e Posaçme, duke theksuar se ligji thotë qartë që kur nevojat e sigurimit rëndohen, prokurori mund t’i kërkojë Kuvendit autorizim për zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë tjetër më të rëndë.” – theksohet në shkresën e SPAK-ut, shkruan Nacionale.

Natyrisht, Berisha e ka komentuar kërkesën e SPAK-ut drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Berisha deklaroi se do ta respektojë çfarëdo vendimi pas autorizimit të Kuvendit të Shqipërisë.

“Çfarëdo vendimi pas autorizimit të Parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim. Qëndrimi im, i përsëritur këtu, ua kam thënë sa herë keni pyetur, ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit. Unë nuk mund të bëhesha kurrë njeriu që zbatoi një vendim antikushtetues. Isha në vështirësi në këtë rast se kishte të bënte me mua, por ai ishte një akt i shkruarjes së Kushtetutës në zyrat e prokurorëve ose gjykatësve. Nuk mund të ndodhte dhe nuk ndodh kurrë përmes Sali Berishës. Tani parlamenti të vendosë ç’të dojë” – deklaroi Berisha, transmeton Zëri i Amerikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *