Prokurori i Specializuar në detyrë kërkon që vendimi për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt të mbetet në fuqi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon seanca e Apelit me parashtrimet e prokurorisë në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting ka kërkuar nga Paneli i Apelit që të lë në fuqi dënimet e shqiptuara nga trupi gjykues meqë, sipas tij, nuk ka ndonjë dyshim se ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë kryer krimet për të cilat janë akuzuar.

Ai ka kundërshtuar parashtrimet e mbrojtjes e cila ka pretenduar se të akuzuarit janë përballur me një proces të padrejtë gjykimi.

“Të akuzuarit pretendojnë që janë trajtuar në mënyrë të padrejtë në proceset gjyqësore, asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës, nuk ka asnjë pikëpyetje që të akuzuarit kanë kryer krimet për të cilat ata janë akuzuar dhe që kanë pasur mundësi të plotë që të kundërshtojnë çështjen e paraqitur nga prokuroria.

Ata janë dënuar pas një procesi gjyqësor tërësisht të drejtë dhe dënimi dhënë për ta ka qenë i drejtë… Ne parashtrojmë se kjo çështje ka treguar që kjo gjykatë ka realizuar një proces ligjor të drejtë plotësisht mbrojtës të së drejtave të të akuzuarve dhe të shpejtë, mbi këtë bazë të nderuar gjykatës ne ju kërkojmë të lini në fuqi dënimet e dhëna nga trupi gjykues”, ka thënë ai.

Whiting ka thënë se trupi gjykues ka konstatuar që prokuroria ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm çdo element që lidhet me pesë nga gjashtë pikat e aktakuzës, raporton kp.

Prokurori i Specializuar në detyrë është kundërshtuar nga mbrojtja e Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees, lidhur me materialet që kanë të bëjnë me pretendimin e mbrojtjes për shtytje në kryerjen e veprës penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *