Policët mbesin pa shtesa të rrezikshmërisë edhe këtë muaj

U bënë katër muaj që pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nuk u janë ekzekutuar shtesat e rrezikshmërisë.

Lajmi është konfirmuar për IndeksOnline nga kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri. Ai tha se kanë pritur që këtë muaj të ketë shtesa, mirëpo kjo nuk ndodhi.

“Asnjë shtesë nuk është ekzekutuar as me pagesën e pagave të majit. Madje nuk është përmirësuar as koeficienti për një pjesë të stafit civil të policisë që ne e kemi pritur të ndodhë. Këtë javë kam pasur një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili më premtoi se kolegu i tij Hekuran Murati është duke punuar në këtë drejtim, por ja që as këtë muaj nuk ka kurrfarë shtese për policët”, ka thënë Zeqiri.

Rikujtojmë se Policia e Kosovës është duke punuar me orar të zgjatur 12 orësh në plan operativ pas tensioneve të ngritura në veri të vendit, mirëpo pavarësisht punës së madhe që po bënë policia, shtesat për rrezikshmëri, ende nuk i kanë pranuar.

“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreson se Qeveria e Republikës së Kosovës do të reflektojë dhe pa humbur kohë do ta realizojë shtesën e rrezikshmërisë si e drejtë elementare dhe e merituar në të kundërtën e mosrealizimit të kësaj kërkese siç po ndodh edhe me kërkesat tjera që ia kemi parashtruar deri më tani qeverisë, ne si sindikatë jemi të detyruar që të ndërmarrim masat sindikale bazuar në ligjin mbi organizimin sindikal dhe ligjin e Policisë së Kosovës për t’i realizuar të drejtat tona në plotësimin e kërkesave tona”, është thënë në reagimin e fundit të Sindikatës së Policisë./IndeksOnline/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *