“Për fundjavë në Evropë” – Bizneset ankohen se u ka rënë puna

“Çdo i treti kalimtar në qendër të Selanikut fliste shqip”, thotë me shaka Sedat Kiçmari.

Me gruan dhe dy fëmijët, ai vizitoi qytetin bregdetar të Greqisë fundjavën e fundit të shkurtit.

Ishte hera e parë që familja 4-anëtarëshe udhëtoi pa viza në një vend të Bashkimit Evropian.

Qytetarët e Kosovës e gëzojnë këtë të drejtë nga 1 janari i këtij viti dhe disa përfaqësues biznesesh ankohen se “euforia e madhe” për të udhëtuar, i ka lënë me më pak punë e më pak të ardhura.

Nëse trendi vazhdon, disa biznese edhe mund të mbyllen, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

“Mbi 100% më shumë udhëtime”

Ruzhdi Kurtishaj, pronar i agjencisë turistike “Sharr Travel”, thotë se udhëtimet e qytetarëve kosovarë nga 1 janari e këndej, janë shtuar për më shumë se 100%.

Agjencia e tij operon me dhjetëra autobusë që realizojnë udhëtime çdo ditë.

Destinacionet thotë se janë të ndryshme: Greqi, Kroaci, Hungari, Bullgari e Austri.

“Po e marr shembull Greqinë, pasi është vendi më i frekuentuar. Vitin e kaluar, në këtë shtet kemi udhëtuar një herë në javë me një autobus, ndërsa, aktualisht, udhëtojmë tri herë në javë me gjashtë autobusë”, tregon Kurtishaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se kapaciteti i një autobusi është për 50 deri në 80 udhëtarë, ndërsa bileta kthyese nga Prishtina deri në Selanik – rreth 330 kilometra larg – është 20 euro.

Nëse bëhet llogaritja vetëm me shifrat e kësaj agjencie, i bie që së paku 300 qytetarë udhëtojnë çdo javë drejt Greqisë dhe vetëm për bileta shpenzojnë së paku 6.000 euro.

Në Kosovë janë të regjistruara 757 biznese – përfshirë agjenci udhëtimi, operatorë turistikë e të tjera – që merren me turizëm.

Të dhënat që REL-i siguroi nga Policia e Kosovës, tregojnë se nga 1 janari deri më 21 shkurt të këtij viti, mbi 1.7 milion qytetarë kanë dalë nga kufiri tokësor i Kosovës, ndërsa kanë hyrë mbi 1.6 milion.

Shifrat përfshijnë edhe ata qytetarë që kanë lëvizur më shumë se një herë.
Megjithatë, policia nuk dha të dhëna për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur për qytetarët kosovarë nuk vlente liberalizimi i vizave.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ndërkaq, konfirmojnë se ka rritje të numrit të udhëtarëve në dhe nga Kosova.

Zëdhënësja Valentina Gara thotë se numri i përgjithshëm i tyre në muajin janar ka qenë mbi 287 mijë, krahasuar me mbi 266 mijë sa ka qenë në janar të vitit 2023.
Paratë jashtë Kosovës

Kiçmari, i cili me profesion është kontabilist, thotë se për një fundjavë në Selanik, ka shpenzuar rreth 400 euro, “përfshirë këtu sigurimin për makinën me të cilën kanë udhëtuar, akomodimin, ushqimin dhe aktivitete të tjera”.

Nga përvoja e kaluar, thotë se çdo shpenzim ia ka vlejtur.

“Qytet i bukur, kishte vende të ndryshme turistike për t’u vizituar”, thotë ai.

Por, përshtypje si këto kanë ndikuar në turizmin e brendshëm.

Hysen Sogojeva, udhëheqës i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, thotë se dy muajt e fundit, nuk janë të krahasueshëm me periudhat e njëjta të viteve të kaluara.

Në këtë kohë, thotë ai, kur vendet malore dhe restorantet në natyrë do të duhej të frekuentoheshin masivisht në fundjava, kanë dukshëm më pak klientë.

“Po presim që muajve të ardhshëm të stabilizohet situata… Shpresojmë që kjo eufori e qytetarëve [për të dalë jashtë] është afatshkurtër, vetëm nga kureshtja e lëvizjes pa viza”, thotë ai.

Deklaratave të tij u bën jehonë edhe Sadik Gashi, i cili udhëheq pushimoren “Holiday Resort” në fshatin Sllatinë të Prishtinës.

“Rënie të numrit të klientëve ka sidomos gjatë fundjavës, por edhe ditëve tjera”, thotë ai.

“Ata, kur po shkojnë gjatë fundjavave në Selanik, Romë apo ndonjë shtet tjetër… qarkullimi ditor bie edhe gjatë ditëve të tjera të javës, sepse paratë i shpenzojnë jashtë dhe nuk kanë më mundësi t’i vizitojnë restorantet në Kosovë”, shton Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *