Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që grabiti metadon dy herë në të njëjtën barnatore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit A.Sh. për grabitje në një barnatore në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se i dyshuari më 21 shkurt të këtij viti kishte hyrë i maskuar me kapelë në kokë dhe shall në fyt, i cili nën kërcënimin e thikës kishte kërkuar metadon.

Pos kësaj, ai edhe më 4 mars kishte shkuar në po të njëjtën barnatore me një të dyshuar tjetër ku kishte hyrë në depon ku mbahet metadoni dhe kishte marrë gjëra në vlerë të 600 eurove.

“I pandehuri A.SH me datë 21.02.2024 rreth orës 09:45, në barnatoren Melisa në Ulpianë – Prishtinë, kishte hyrë i maskuar me kapelë në kokë dhe shall në fyt, i cili nën kërcënimin e armës/thikës i është ofruar të dëmtuarës A.A dhe nga e njëjta ka kërkuar metadon, duke i vendosur thikën në stomak, për çka e dëmtuara nga frika e ka njoftuar për vendin se ku ka qenë i vendosur metadoni, i pandehuri nga barnatorja kishte arritur që të marrë metadon në sasi prej njëzet e pesë copë si dhe disa shiringa në vlerë totale prej rreth shtatëqind e pesëdhjetë euro dhe i njëjti ishte larguar në drejtim të panjohur”.

“I njëjti edhe me datë 04.03.2024, rreth orës 10:25 në po të njëjtën barnatore,  në bashkëkryerje së bashku edhe me një person N.N, tani për tani të panjohur, ka hyrë në barnatore dhe përsëri nën kërcënimin e thikës ka depërtuar në depon ku mbahet metadoni ku pas kësaj e dëmtuara ka aktivizuar panik alarmin dhe është larguar nga barnatorja duke e lënë të pandehurin në barnatore, ku i pandehuri ka marrë një sasi prej rreth 600 eurove (gjashtëqind) euro si dhe ka hapur një metadon të cilin e ka pirë, mirëpo i pandehuri nuk ka arrit të dal nga lokali, pasi që barnatorja është mbyllur me rrjetën e jashtme të hekurit, ku me këtë rast i pandehuri ka mbetur brenda barnatores, derisa ka arritur njësia policore e cila edhe e ka bërë arrestimin e tij”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *