McKee: S’lëkundet mbështetja e USAID-it ndaj Kosovës, pavarësisht mosmarrëveshjeve me qeveri specifike

Ndihmës Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee tha se përkushtimi i USAID-it ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur, pavarësisht që mund të ketë raste të mosmarrëveshjes me “qeveri specifike”.

“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri specifike, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, u shpreh McKee, raporton Kosovapress.

Në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, ajo tha se është e kënaqur me progresin e Kosovës dhe se vendi po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat.

“Kosova po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat. USAID-i është i përkushtuar në ndërtimin e aftësive të nevojshme për të shfrytëzuar frymën e tyre sipërmarrëse për t’u bërë lider në sektorin privat të Kosovës dhe për të çuar përpara potencialin për të zhbllokuar atë prosperitet që ne e dimë që Kosova duhet t’i ofrojë jo vetëm vetë Kosovës, por gjithë rajonit, dhe sinqerisht, mbarë Evropës. Isha gjithashtu e kënaqur që takova gratë lidere kosovare dhe festova Ditën Ndërkombëtare të Gruas disa ditë më herët, dhe Muajin e historisë së grave, mbrëmë në një tubim që u organizua nga ambasadori Hovenier dhe këto gra të mrekullueshme, nëpunëse civile, avokate dhe gjyqtare, përfaqësuese të sektorit privat, ligjvënëse, inxhiniere, përveçse nëna dhe bashkëshorte janë vërtet të shquara në punën e tyre të palodhshme për të bërë një ndikim pozitiv në sektorët e tyre dhe në vendin e tyre. Ishte vërtet frymëzuese. Këtë vit, siç përmendi presidentja, USAID-i do të shënojë 25 vjetorin e partneritetit tonë me popullin e Kosovës. Rrugëtimi zhvillimor i Kosovës ka qenë disi i jashtëzakonshëm”, tha McKee.

Ajo nuk la përmendur edhe dialogun Kosovë-Serbi për të cilin tha se është rruga e vetme përpara për integrim në strukturat euroatlantike dhe se mbështetja e USAID-it do të mbetet e palëkundur për Kosovën.

“E ardhmja e Kosovës është brenda Evropës. Sekretari Blinken kohët e fundit përsëriti se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i drejtë dhe rruga e vetme përpara për Kosovën për të avancuar integrimin e saj me institucionet evropiane dhe euroatlantike. Siç kemi bërë në 25 vitet e fundit, USAID-i do të qëndrojë i palëkundur në partneritet me Kosovën për të siguruar që momenti drejt kësaj të ardhme të mos lëkundet, por të përshpejtohet dhe përfundimisht të vazhdojë”, tha ajo.

Presidentja Osmani, nga ana e saj, ka vlerësuar kontributin e USAID-it në arritjen e sukseseve të Kosovës përgjatë dy dekadave të fundit.

Ajo tha se bashkëpunimi me USAID-in është shembull konkret i përkushtimit të Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan ndaj vendit dhe se një Kosovë më e zhvilluar dhe e fortë është synimi i përbashkët.

Duke folur në lidhje me investimet e USAID-it, e para e shtetit tha se në vendin tonë USAID ka investuar mbi 1 miliardë dollarë, e që së bashku me projektet e tjera të qeverisë amerikane investimet arrijnë deri në dy miliardë dollarë, raporton Kosovapress.

Ndërkaq, duke folur për sukseset e Kosovës gjatë 16 viteve si shtet i pavarur, Osmani tha se Republika jonë është ndër reformatorët më të mirë në indekset globale për sundimin e ligjit dhe të ruajtjen e demokracisë.

Ajo gjithashtu shtoi se po punohet se këto suksese të përkthehen edhe në përfitime ekonomike për Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *