Ministria e Brendshme iu rekomandon policëve të Kosovës të mos udhëtojnë nëpër Serbi: Mund të arrestohen

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, iu ka rekomanduar pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që të mos udhëtojnë nëpër Serbi, për shkak të rrezikut të arrestimit nga ana e shtetit serb. Periskopi ka parë një qarkore dërguar në Policinë e Kosovës, si njoftim nga ana e MPB-së. 

Rritja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht dialogut në Bruksel, ka bërë që disa qytetarë të Republikës së Kosovës, të arrestohen gjatë kalimit nëpër Serbi. 

Rasti i fundit, ishte ai i Hasan Dakajt, ish-ushtar i UÇK-së nga Prizreni, i cili u arrestua në Merdare teksa po udhëtonte me vëllain e tij. 

Periskopi ka mësuar nga burime të sigurta dhe ka parë një qarkore që Ministria e Punëve të Brendshme, ua ka dërguar Policisë së Kosovës, si formë udhëzimi që pjesëtarët e Policisë së Kosovës të mos kalojnë nëpër Serbi. 

Duke qenë që pas liberalizimit të vizave, shumë qytetarë të Republikës së Kosovës, zgjedhin rrugën kah Serbia për të kaluar nëpër vende evropiane, kjo – por edhe rritja e tensioneve Kosovë – Serbi, mendohet të jetë arsyeja e kësaj ‘këshille’ të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. 

Pavarësisht dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që në tri vitet e fundit ka prodhuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, tensionet në terren mes dy vendeve, janë evidente. 

Sulmi i 24 shtatorit në Republikën e Kosovës, në fshatin Banjë është treguesi më i madh i qasjes agresore të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës. 

Kujtojmë se para kësaj ngjarje, tre policë të Republikës së Kosovës ishin rrëmbyer nga Serbia, të cilët do të liroheshin më pas. 

Më 5 janar 2024, Serbia arrestoi edhe Hasan Dakajn, ish-ushtar i UÇK-së, nga Prizreni. 

Situata e fundit që ka alarmuar Serbinë, është Rregullorja e Bankës Qendore të Kosovës për paratë e gatshme, e cila lejon vetëm euron si valutë në Republikën e Kosovës, e që rrjedhimisht, nënkupton edhe ndalimin e qarkullimit të dinarit serb. 

Për të evituar çfarëdo lloj tensionesh në veriun e Kosovës, shtetet perëndimore i kanë bërë thirrje Kosovës që të pezullojë këtë vendim duke lejuar ‘një periudhë tranzitore’ për aplikimin e saj. 

Në një mesazh të fundit, ambasadori amerikan në Kosovë, z.Jeffrey Hovenier, tha se ‘SHBA është e shqetësuar që kjo çështje mund të përshkallëzojë tensionet etnike’. 

“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga Qeveria serbe. Ne mendojmë se kjo çështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm dhe diskutime në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar se ka mundësi ti përshkallëzojë tensionet etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme e një numri të qytetarëve të Kosovës”, tha ai. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *