Kurti që fliste zi e terr për Kosovën tash thotë se ndikon negativisht t’u thuhet njerëzve se po e humbin shpresën

“Dikush është afër humbjes së shpresës, sepse ka edhe të tillë, nuk iu ndihmon kur iu themi që po e humbin shpresën. Është i rëndësishëm edhe ky aspekt”.

Kjo është deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhënë në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, si i ftuar në dyvjetorin e mandatit të tij qeverisës, derisa drejtuesi i emisionit po i lexonte statistikat e tmerrshme të ikjes së qytetarëve nga Kosova drejt perëndimit.

Statistikat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se mijëra qytetarë të Kosovës po e lëshojnë vendin çdo muaj dhe çdo ditë para ambasadave qytetarët presin në radhë për t’u pajisur me viza.

Kjo deklaratë, e cila në fakt duket më shumë si kërkesë e Kurtit që mediat të mos e tematizojnë çështjen e ikjes nga Kosova, është dëshmia e radhës se edhe tani që është kryeministër, atë po e ndjekë pas opozitarizmi i tij që shtetin e ri e portretizonte si një vend të pashpresë e ku nuk mund të jetohet – shkruan Neutral.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nuk kishte kursyer asnjë metodë në luftën e tij për pushtet, duke kaluar edhe kufijtë e normales, po përballet me gjendjen të cilën ai e kishte përkufizuar edhe përtej normales dhe realitetit.

Përgjatë dy dekadave në opozitë, Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, kanë qenë kritikë irracionalë e të vazhdueshëm në çdo punë që është bërë. Edhe punët më të mira janë përlyer e ndotur nga propaganda e Kurtit dhe partisë së tij. Madje, as Pavarësia e Flamuri i Kosovës, nuk i kanë shpëtuar njollosjes.

Propaganda gati dydekadëshe e Kurtit kundër shtetit të Kosovës, si një vend ku nuk mund të jetohet, ka dhënë efektet e saj. Mijëra qytetarë të Kosovës kanë humbur shpresën dhe kanë lënë vendin. Këtu, tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për të papunët.

Në këtë ambient politik, ku çdo gjë ishte bërë e zezë nga opozitari Kurti, sot po përballet vetë Kurti, por tash si kryeministër.

Kryeministrit Kurti po i përplaset çdo ditë propaganda e tij e gjatë kundër Kosovës si një vend i pa shpresë.

Pavarësisht kësaj, Kurti nuk po ndërmerr asnjë hap që ta lehtësojë jetën e qytetarëve të Kosovës, por përkundrazi ai ka ndikuar drejtpërdrejt në vështirësimin e saj.

Çuditërisht deklarata e Kurtit se nëse “dikush është afër humbjes së shpresës, nuk iu ndihmon kur iu themi që po e humbin shpresën” erdhi pikërisht në ditën kur u vendos që të shtrenjtohet për herën e dytë, në dy vitet e Qeverisë Kurti, energjia elektrike. Në herën e parë ky shtrenjtim kishte kaluar mbi 100%, kurse tani, në mbi 15%.

Kryeministri Kurti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim si kryeqeveritar që të mos ndodhë ky shtrenjtim, duke lënë prapa premtimin e tij si opozitar se kur ai të vijë në pushtet çmimi i energjisë do të ulet edhe më shumë sepse “paguajmë shumë shtrenjtë edhe pse jetojmë mbi gjithë këtë pasuri (qymyr)”.

Përveç kësaj, Kurti e legjitmoi shtrenjtimin e energjisë elektrike duke thënë në foltoren e Kuvendit se “Aq lirë ka qenë rryma sa që nuk e kanë ditur as sa paguajnë. Në historinë e Kosovës, numër të qytetarëve që nuk kanë ditur se sa e kanë pasur faturën, nuk ka pasur ndonjëherë”.

Qytetarët e Kosovës, të ballafaquar me jetën e re tepër të shtrenjtë e të papërballueshme financiarisht nën Qeverinë Kurti, kanë vërejtur shpejtë dallimin mes premtimeve të tij dhe mungesën e iniciativës për të lehtësuar jetën e qytetarëve.

Në fakt, nga premtimi për uljen e çmimit të rrymës në përballjen me arrogancën e Kurtit se rryma ishte aq lirë sa qytetarët nuk e dinin sa e kanë pasur faturën, ishte një mësim i mirë se opozitarizmi i tij ishte i gënjeshtërt dhe me qëllime të tjera.

Në këtë mënyrë, si dikur me propagandën e tij opozitare se Kosova po bëhet vend i pajetueshëm, por edhe tani me vendimmarrjen si qeveritar, Kurti po i kontribuon rradhëve të gjata para ambasadave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *