Kurti në takim me zëvendëskryeministrin italian

Zëvendëskryeministri i Republikës së Italisë njëherësh ministër i Jashtëm, Antonio Tajani, gjatë qëndrimit në Kosovë ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. 

Në njoftimin për media nga zyra e kryeministrit thuhet se Kurti gjatë këtij takimi tha se Kosova dhe Italia kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme në fushën e ekonomisë, tregtisë, kulturës, sigurisë dhe mbrojtjes dhe se është i gatshëm të punojnë së bashku për fuqizimin e tyre në shërbim të interesave të përbashkëta.

“Ai shprehu falënderimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për kontributin e hershëm dhe të vazhdueshëm të Italisë në forma të ndryshme përgjatë gjithë fazave të historisë së re të Republikës së Kosovës. I njoftoi me zhvillimet e fundit në vend, performancën ekonomike të vendit, me theks te rritja ekonomike e shënuar në vitin 2021 dhe 2022 dhe trendin pozitiv të eksporteve dhe investimeve të huaja, dhe për reformat në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Kurti mirëpriti interesimin dhe angazhimin e shtuar të Italisë për rajonin tonë, duke e shprehur edhe gatishmërinë e tij për t’iu përgjigjur pozitivisht një ftese në kuadër të planeve të Romës zyrtare për të ftuar në një organizim të përbashkët liderët e Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *