Kosova dhe Shqipëria i japin mbështetje Izraelit karshi sulmit terrorist nga Hamasi

Kosova dhe Shqipëria janë bashkërenduar krahë Izraelit pas sulmeve terroriste të Hamasit.

Liderët e Kosovës, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, përmes postimeve në rrjetet sociale kanë përkrahur Izraelin, shkruan Demokracia.com

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova qëndron me Izraelin pas sulmeve terroriste që ndodhën atje.

“Republika e Kosovës dënon pa mëdyshje sulmet e sotme terroriste kundër shtetit të Izraelit. Mendimet tona janë me popullin e Izraelit gjatë kësaj kohe tepër sfiduese. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me të prekurit”.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se është e tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael.

Në llogarinë e saj në platformën X, ajo ka shprehur solidaritetin e plotë me popullin dhe shtetin e Izraelit.

“Të tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me presidentin Isaac Herzog, popullin dhe shtetin i Izraelit në këto orë të errëta. Mendimet tona janë me familjet e viktimave”, ka shkruar Osmani.

Edhe në Shqipëri, presidenti Begaj e kryeministri Rama kanë dënuar sulmet e Hamasit.

Presidenti i Shqipëri, Bajram Begaj, ka thënë se i dënon fuqishëm sulmet e Hamasit ndaj Izraelit.

Në platformën X, ai ka thënë se Shqipëria qëndron e vendosur kundër çdo forme terrorizmi.

“Dënoj fuqishëm sulmet ndaj Izraelit nga Hamasi. Në këto momente, ne qëndrojmë me Izraelin. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Shqipëria qëndron e vendosur kundër çdo forme terrorizmi”, ka shkruar Begaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se e dënon fuqishëm sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit.

Në platformën X, ai ka shkruar se mendimet e tij janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin.

“Dënoj fuqishëm sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit. Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, ka shkruar Edi Rama.

Po ashtu lideri opozitar, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj kanë dënuar sulmin në rrjetet sociale./Demokracia.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *