Kanceri i gjirit është i trajtueshëm dhe i shërueshëm!

Te gratë, pas kancerit të lëkurës, kanceri më i shpeshtë është kanceri i gjirit. Është sëmundje e diagnostikueshme dhe me sukses e trajtueshme, nëse zbulohet herët e me kohë!

Edhe burrat mund të fitojnë këtë lloj sëmundjeje gjatë jetës (100 fish më rrallë se te femrat), por me ecuri edhe më të rrezikshme, sepse kap shpejt muskulin e gjoksit dhe metastazon.

Disa prej faktorëve të rrezikut:

• Mosha – veçanërisht mbi 55 vjet, shton rrezikun e zhvillimit të paraqitjes së kancerit të gjirit (KGj) prej raportit një në tetë gra, në raportin dy deri tri në tetë gra;
• Gjenet – deri 10% të rasteve me KGj është i trashëgueshëm;
• Mbipesha pas menopauzës, shton gjasat për zhvillimin e kanceri të gjirit me depozitimin e estrogjeneve në indin dhjamor të gjirit, por edhe në rritjen e nivelit të Insulinës në gjak, që ka lidhje me kancer të gjirit;
• Përdorimi i alkoolit – shton gjasat për KGj. Një pije rrit pak rrezikun, por 2 deri 5 pije çdo ditë, janë me shtim rreziku për një herë e gjysmë sesa jopërdoruesit e alkoolit.

Shenjat për kancerin e gjirit

Gandrat nën sqetull ose ënjtja në sqetull janë shenja që duhet konsideruar si paralajmëruese.

Shenjat e hershme:

• Gandra në gji
• Ënjtja në gji
• Skuqja ose tëhollimi i lëkurës së gjirit
• Kruajtja ose ndjenja e nxehtësisë në gji
• Ndërrimi i formës së majës (thithkës) ose dalie lëngu të kuq a ngjyrë ndryshku nga maja
• Më rrallë: maja e gjirit me gërryerje – erozion ose në formë majasëlli

Predispoziat për shfaqjen e kancerit të gjirit:

• Gjinia (te femrat 99%);
• Mosha e madhe;
• Nulliparet (gratë që nuk kanë lindur fëmijë);
• Lindjet e vonshme(>35 vjeçare);
• Anamneza familjare pozitive (prirje për tumore ne familje, motrat, nëna, hallat, tezet);
• Gjenet e pranishme BrCA1 poz. ose BRCA2 poz.;
• Pirja e duhanit shton rrezikun për 4%;
• Alkooli;
• Gjendjet “prekanceroze” – fibromastopatitë e përparuara stadi III.
• Ca in situ ductale (Ca intraductale) dhe lobulare; M. Paget (ekzema kronike e thithit – e dyshimtë)
• Kontraceptivët hormonalë;
• Obeziteti;
• Puna e natës:
• Zemërimi kronik i ndrydhur, me rënie të imunitetit.

Si të zvogëlohet e të zbulohet me kohë kanceri i gjirit?

Jeta e rregullt (punë-pushim), ushqimi i balansuar, proteina të mjaftueshme, perime, ujë, sa më pak sheqerna e brumëra, mospirje e duhanit e alkoolit, vetëkontroll të gjinjve (por, që nuk e zëvendësojnë mjekun), vizita të rregullta klinike te mjeku kompetent (mjeku i përgjithshëm i trajnuar ose te kirurgu torakal) dhe vizitat e rregullta për ultratingull e mamografi (çdo vit apo çdo të dytin vit)! Por, edhe jetë të pasur sociale: shoqërimi, disponimi, e natyrisht gjene të mira e fat!

Zbulimi i hershëm bëhet me kontrollet klinike dhe radiologjike: Ultratingulli (shumë praktike) e Mamografia, e më rrallë e sipas nevojës Rezonanca magnetike (RMI) apo Tomografia e kompjuterizuar (CT).

Kush e bën marrjen e mostrave nga tumori i gjirit?

Këto procedura i bën mjeku i trajnuar që mund të jetë: kirurgu (senolog – i gjirit) ose torakal a i përgjithshëm, radiologu intervent. Mund të bëhen: marrja e materialit dhe përgatitja e strishos celulare nga sekreti i lëngut që del nga maja e gjirit, marrja e mostrave me gjilpërë të hollë apo të trashë apo edhe intervent i vogël kirurgjik për marrjen (biopsia) e një cope të mjaftueshme për ta dërguar për analizë histopatologjike nga specialisti: patologu.

Nëse konfirmohet diagnoza: kancer i gjirit atëherë kolegjiumi i udhëhequr nga kirurgu e onkologu, vendos me cilën metodë trajtuese: kirurgjike apo onkologjike.

Trajtimi kirurgjik konsiston në heqje të gandrës dhe heqje të nodeve limfatike nga sqetulla e përfshirë, apo heqje e përsëritshme e një pjese të gjirit apo e tërë gjirit – mastektomia, e që jorrallë vazhdohet me rikonstruksion të saj (onkoplastika) me apo pa implante.

Trajtimi onkologjik konsiston në marrjen e barnave të përshkruara nga onkologu (kimioterapia) si dhe terapia me rrezatim: radioterapia.

Në Klinikën e Kirurgjisë (departamentin torakal) zbatohen të gjitha metodat diagnostikuese e trajtuese. Trajtueset fillojnë nga biopsia ekscizionale ose lumpectomy, mastektomia segmentale (kuadranti) apo parciale e deri te mastekomia (heqja e gjirit) e thjeshtë apo radikale e modifikuar (gjiri me kancer + nodet e sqetullës)!

Bëhen edhe operacione estetike: zvogëlim gjiri apo futje implanti silikonik (zëvendësim i gjirit të hequr nga kanceri)!

Trajtimi i kancerit të gjirit, kërkon bashkëpunim të ngushtë të kirurgut, onkologut, radiologut, patologut, kimioterapeutit, radioterapeutit, psikologut, ekspertëve për trajtimin e dhimbjes te format metastatike.

Në Kosovë specialistët tanë, kirurgët kompetentë për gjirin janë kirurgët torakalë, ku brenda vitit kryejnë rreth 300- 400 operacione të problematikave me kancer të gjirit. Problematikat e tjera jokanceroze kapin shifrat e mbi 1000 sosh! Punohet në institucionet publike si dhe në ato private. Lista jonë e pritjes është e shkurtër. Sa i përket trajtimit kirurgjik të sëmundjeve kanceroze të gjirit, pas diagnostikimit, në institucionet publike operohen brenda dy – katër javësh, që është pritje shumë e vogël.

Mbijetesa varet nga zbulimi i hershëm dhe fillimi i hershëm i trajtimit. Me zbulim të hershëm arrihet mbijetesë më e lartë dhe jetë më e gjatë e jetë më kualitative.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *