Gërvalla flet për aktakuzën ndaj saj, fajëson “disa prokurorë” se po duan të hedhin baltë ndaj saj

Pas ngritjes së aktakuzës për mosdeklarim të pasurisë, ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ajo ka fajësuar disa prokurorë, të cilët sipas saj, po duan të hedhin baltë ndaj krerëve të institucioneve.

Në një rresht të postimit të saj, Gërvalla duket se e ndërlidh aktakuzën me kryeprokurorin e Speciales, Blerim Isufaj. Edhe pse, aktakuza është ngritur nga Prokuroria Themelore.

“Shpresoj që gjykata, e cila duhet të merret me këtë rast, të gjykojë bazuar mbi faktet objektive e jo interesat e prekura individuale të atyre, të cilët dëshirojnë me shantazhe dhe kërcënime të vijnë në krye të institucioneve të drejtësisë”, ka shkruar ajo.

POSTIMI:

Miq të dashur,

prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngitur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”. Çfarë rastësie!

Në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021. Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë.

Shpresoj që gjykata, e cila duhet të merret me këtë rast, të gjykojë bazuar mbi faktet objektive e jo interesat e prekura individuale të atyre, të cilët dëshirojnë me shantazhe dhe kërcënime të vijnë në krye të institucioneve të drejtësisë.

Qytetari i Republikës së Kosovës na njeh të gjithëve. Edhe neve, edhe ata. Na njeh kaq mirë, sa fushatat e tilla nuk pijnë ujë.

Që në fillim të marrjes së detyrës nuk kam pasur iluzione. Të gjithë e kemi ditur që ata, të cilët humbën jo vetëm zgjedhjet, por edhe mundësinë për të zhvatur edhe më tej shtetin dhe paranë publike, nuk do të zgjedhin mjete në betejën e tyre për të ndalur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Madje në çdo ditë të punës sime kam qenë e ndërgjegjshme që duhet të jemi të përgatitur për rreziqe edhe shumë më të mëdha sesa fushatat denigruese.

Prandaj ballëhapur dhe me duar të pastra vazhdojmë punën për përfaqësimin dinjitoz të vendit, rritjen e mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve tanë, mbrojtjen e sovranitetit të Republikës, reformimin e institucioneve dhe vënien në vend të ligjshmërisë së shkelur në mënyrën më brutale për kaq vite me radhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *