‘Asociacioni punë e kryer, Kurti po zbaton atë që qeveritë e kaluara e arritën’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua dje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, takim ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Nga ky takim, epilogu i vetëm pozitiv ishte publikimi i Propozimit Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë Propozim Evropian gjenden 11 pika, për të cilat dje gjatë takimit pati vetëm pranim verbal në Bruksel, por jo edhe nënshkrim në letër mes dy palëve.

Nga ky plan parashihet edhe krijimi i Asociacionit. Pikërisht kjo temë po vazhdon të jetë kyçe për ecurinë e dialogut.

Kurti ishte gati për nënshkrimin e marrëveshjes gjatë ditës së djeshme (27 shkurt), kurse Vuçiq tha se Kosova s’e pranoi Asociacionin.

Mirëpo, kryeministri insistoi pas takimit se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive

“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkohësisht të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti.

Opozita ‘shpërthen’ me kritika karshi Kurtit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, reagoi duke thënë se Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin.

“Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin”, theksoi Krasniqi.

I pari i PDK-së, thotë se në këtë marrëveshje nuk flitet për njohjen nga pesë vendet dhe nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO.

“Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë”.

Për Propozimin Evropian, ka reaguar edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike.

“Në Bruksel, kryeministri i Kosovës u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku shtoi se LDK-ja konsideron se kryeministri Kurti e ka menaxhuar tërsisht gabuar procesin e dialogut.

Ndryshe nga liderët më lartë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, propozimin evropian e quajti një të arritur të madhe.

“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe. Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se Albin Kurti u dorëzua, meqë sipas tij, e pranoi marrëveshjen.

“Albin Kurti u dorëzua. E pranoi marrëveshjen. Borell e konfirmoi këtë zyrtarisht e publikisht. Ambasadori i Kosovës lëshoi FAKE NEËS përmes mediumit ku ka punuar, në funksion të propagandës së pushtetit”, ka thënë Molliqaj.

Për analistët, Asociacioni temë e kryer

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Dritor Arifi ka dhënë opinionin e tij në lidhje me atë se a e pranoi përfundimisht Kurti Asociacionion.

Për Arfin, Asociacioni është punë e kryer qysh në 2013 në kohën kur u nënshkrua. Ai thekson se ka shumë keqkuptime në lidhje me këtë temë, pasi çdo gjë është kryer në momentin kur u ratifikua në Kuvend.

“Pranimi i planit franko-gjerman Kosova e ka pranuar Asociacionin në vitin 2013 atëherë edhe kur u ratifikua në Kuvend. Pra Asociacioni do bëhet, nga secila qeveri që është deri sa nuk c’ratifikohet në Kuvend, prandaj këtu është bërë një keqkuptim dhe keqinformim. Në takimin e Brukselit Qeveria e Kosovës u pajtua dhe u zotua për zbatimin Asociacionin. Ajo çka ka mbetur është se kur do të implementohet dhe si”, deklarohet profesor Arifi për Neutral.

Po njësoj po e sheh situatën edhe njohësi i çështjeve politike Gazmir Raci.

Raci thotë se nga takimi i 27 shkurtiti u konfirmua se plani franko-gjerman është pranuar de facto nga të dyja palët.

Ai nënvizon se e rëndësishme është që Asociacioni i përfshirë në 10 pikshin e propozimit evropian është të mos jetë njëetnik sepse bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Takimi i djeshëm konfirmoi që plani franko-gjerman është i pranueshëm nga të dyja palë dhe në 10 pikat e përfshira në këtë propozime është edhe Asociacioni, ku në fakt është marrëveshje e arritur kohë më parë.

Ajo që është e rëndësishme është që ky asociacion të mos jetë njëetnik dhe të themelohet ashtu siç edhe kërkohet nga Kurti që thirret në respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku në fakt është pikërisht kjo: që të mos jete një etnik, pasi Kosova është shtet shumë etnik.

Kosova ka një marrëveshje ndërkombëtare dhe Asociacioni është punë e kryer”, shprehet Raci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *