Kosova siç duket ende nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të QUINT-it që ta shtyjë afatin për zbatimin e vendimit për targa edhe për dhjetë muaj të tjerë.
Osmani sot tha se serbët kishin mjaftueshëm afat për t’i konvertuar targat e automjeteve të tyre në RKS, duke theksuar se kjo “është çështje e sundimit të ligjit”.
Sipas saj, “mbi 90% e serbëve që jetojnë në Kosovë tashmë i kanë konvertuar targat e së kaluarës në targa të ligjshme”.
“Sa i përket një pakice të vogël që nuk i kanë konvertuar ende targat dhe i përdorin targat e kohës së Millosheviqit, kërkesa jonë është që të respektohet ligji. Ka pasur afat të mjatueshëm që ky konvertim të bëhet për këtë numër të vogël të qytetarëve që nuk e kanë bërë, në përputhje të plotë me atë që e kërkon legjislacioni vendor, por edhe praktikat ndërkombëtare”, tha Osmani kur u pyet të komentojë kërkesën e qartë të SHBA-së.
Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.