Plani i ri për dialogun, nga AAK i thonë Kurtit të ketë kujdes

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj thotë se kryeministri i Kosovës duhet ta analizojë me kujdes planin e ri që iu dorëzua Kurtit nga Lajçaku dhe emisarët e tjerë.

Dreshaj në një prononcim për GazetaBlic thekson se çdo ofertë që vjen më vonë, do të jetë më e keqe për të ardhmen e Kosovës.

“Përmbajtjen e dokumentit ende nuk e di. Mendoj se kryeministri Kurti duhet ta analizojë me kujdes, sepse çdo ofertë e më vonshme do te jetë më e keqe për Kosovën”, tha Dreshaj.

Kujtojmë se, pesë emisarët perëndimorë dje kanë zhvilluar vizita në Prishtinë dhe Beograd, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut që të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara.

Lajcak dhe Escobar të shoqëruar nga këshilltarët e Scholz, Macron dhe Melonit dje kanë dorëzuar një “plan të ri” për atë se si do të vazhdohet përpara drejt normalizimit, kjo pasi që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar shumë gjëra.

Për këtë plan të ri, Lajçak paralajmëruar se do të ketë biseda intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

Se do të ketë biseda intensive në vazhdim e ka konfirmuar edhe Zyra për Media e Kryeministrit Albin Kurti të cilët në një komunikatë për media kanë konfirmuar dorëzimin e “planit të ri” dhe kanë shtuar se “diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”.

“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *