Kërkohet lëvizje urgjente drejt Asociacionit, Kurti thotë se çështja ka ngecur te nënshkrimi, pasnesër takimi në Bruksel

Dialogu është intensifikuar dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është bërë çështje kryesore. Kryenegociatorët do të takohen pasnesër në Bruksel, pasi Albin Kurti në tetor ishte i gatshëm të nënshkruante për themelimin e Asociacionit, sipas propozimit të ndërkombëtarëve. Ai tha se 26 tetori ishte një mundësi e humbur dhe se “kemi ngecur” te nënshkrimi, ndërkohë që tregon se liderët kryesorë të BE-së i kanë folur për “urgjencën e kësaj çështjeje”. Për ndërkombëtarët, siç tha ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier javën e kaluar, “ekziston një urgjencë që gjërat të lëvizin shpejt”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 26 tetor ishte i gatshëm të nënshkruante në Bruksel për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në një tavolinë të madhe, i ulur përpara kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, të cilët paraprakisht përmes emisarëve të tyre ia kishin dërguar në Prishtinë një draft-statut të hartuar për këtë bashkësi komunash.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk pranoi të nënshkruante. Procesi ka ngecur këtu sipas Kurtit, të cilit ndërkombëtarët tash i kërkojnë që të lëvizë urgjentisht për ta bërë Asociacionin.

Këtë çështje ndërkombëtarët do të përpiqen ta shtyjnë përpara të enjten në Bruksel, ku do të takohen kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Siç kishte paralajmëruar emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, pritet që në këtë takim të sqarohen pyetjet dhe komentet e palëve për propozimin ndërkombëtar për Asociacionin.

Kurti ndërkohë po qëndron në Austri, ku shkoi për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës. Edhe atje ai përsëriti se duhet nënshkruar marrëveshja bazike që e ka brenda Asociacionin, të cilën ai e quajti “marrëveshje goxha të madhe”.

“Këtu kemi ngecur tashmë. Brukseli është kryeqyteti dhe që të jem i sinqertë, Samiti i BE-së ishte vetë vendi, aty do të duhej të ndodhte, në atë dritën e urgjencës së çështjes. Por kjo mundësi u humb tash, të shohim çfarë mund të bëjmë më mirë e më shumë në të ardhmen”, tha Kurti mbrëmë në një diskutim në Institutin “Karl Renner”.

Ai tregoi se Scholz, Macron dhe Meloni i kishin folur për “urgjencën e kësaj çështjeje”, ndërsa përmendi konfliktet aktuale në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, duke shtuar se “nuk ka më konflikte në botë ku Rusia dhe Irani mund të jenë pasivë ose jashtë tyre” dhe se “bota është bërë shumë e paparashikueshme në kuptimin e rrezikshëm”.

“Përkundër kritikave të mia ndaj draft-statutit – që është shumë më i mirë sesa ai i vitit 2013 apo i vitit 2015, edhe pse nuk është aq i mirë sa do ta shkruaja unë vetë ose sa do ta doja – thashë, po e nënshkruajmë sonte Marrëveshjen e Brukselit, Aneksin e Ohrit dhe këtë draft në një pako”, tha Kurti, duke treguar për bisedën e tij me tre liderët kryesorë të BE-së.

Lajçak, i cili pasnesër do ta ndërmjetësojë takimin mes kryenegociatorëve, javën e kaluar ishte për dy ditë në Kosovë, ku u takua me Bislimin dhe liderët e partive opozitare për të diskutuar për tashmë çështjen kryesore: draft-statutin e Asociacionit. Ai sot po qëndron në Serbi, ku pasi u takua me Petkoviqin, pati një takim edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier javën e kaluar tha në një konferencë për media se “ekziston një urgjencë” për të lëvizur drejt themelimit të Asociacionit.

“Ata (i referohet Scholzit, Macronit dhe Melonit) i përdorin shprehjet ‘urgjente’, ‘sa më shpejt që është e mundur’, e të ngjashme. Ekziston një urgjencë, ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt. Qeveria e Kosovës nuk ka arsye për të mos ecur përpara me këtë draft-statut. Kryeministri ka thënë se ka gatishmëri që ta pranojë në tërësi, javë më parë. Edhe ne po punojmë që kjo gjë të bëhet në kuadër të strategjisë sonë më të gjerë”, tha ambasadori amerikan të enjten.

Draft-statuti nuk është bërë publik zyrtarisht, pasi Kurti tha se kështu i kanë kërkuar ndërkombëtarët. Hovenier tha se këto janë çështje diplomatike në të mirë të procesit.

Paraprakisht, Gazeta Express para një jave publikoi draft-statutin e Asociacionit që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ia kishte dërguar para disa muajsh kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Dokumenti parasheh që Asociacioni të ketë Kuvend, president, nënpresident, Këshill, Bord dhe një zyrë për apel dhe ankesa. Përshkruheshin kompetencat e secilit trup, ndërkaq kjo bashkësi komunash parashihej të shërbente si Agjenci e Specializuar nën kompetencat e Zyrës së Kryeministrit. Asociacioni do t’i kishte departamentet e veta, si departamenti për zhvillim ekonomik, departamenti për arsim, ai për shërbime të kujdesit shëndetësor dhe departamenti për planifikim urban dhe rural. Do ta kishte gjithashtu buxhetin e vet, në përputhje me llogaridhënien sipas ligjit. Aty specifikohen edhe marrëdhëniet që Asociacioni do t’i kishte me autoritetet qendrore.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, të shtunën publikoi një dokument, që tha se është siguruar se është ai që diplomatët euro-amerikanë ia kanë sjellë Kurtit.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të hënën as s’ka konfirmuar e as s’ka demantuar se ky dokument është autentik. “Nuk e di kush është z.Ramadani dhe nuk shoh asnjë arsye për të komentuar ndonjë gjë që ai mund të pretendojë apo publikojë”, ka thënë ai për “Euractiv”.

Draft-statuti i publikuar nga Ramadani i atribuon kompetenca serioze Asociacionit dhe sipas tij, “ia jep Serbisë mundësinë që të funksionojë brenda Kosovës”. Dokumenti parasheh kompetenca të caktuara veçanërisht në arsim, shëndetësi, kujdes social, financim e donacione.

Me publikimin e këtyre dokumenteve, ka pasur paralajmërime se Asociacioni do ta shkelte Kushtetutën. Kryeparlamentari Glauk Konjufca, pas një “shikimi sipërfaqësor” kishte thënë se propozimi ndërkombëtar për Asociacionin “është plotësisht në përputhje me Kushtetutën”. Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe as Besnik Bislimi nuk kanë garantuar për këtë. As kryeministri, as presidentja dhe as zëvendëskryeministri nuk janë të sigurt që s’bie ndesh me Kushtetutën, përveçse thonë se gjithçka do t’i nënshtrohej vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *