Sahatçiu për anulimin e tenderit për digjitalizim në arsim: Arsyetimi për shkarkimin tim u shemb vetvetiu

Ish nënkryetarja e komunës së Prishtinës dhe ish ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Arsimit, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pas anulimit të tenderit për digjitalizim në arsim.

Ajo ka thënë se në një mënyrë apo tjetër, realiteti shpërfaqet.

Anulimi i këtij tenderi, Sahatçiu thotë se është lajm i mirë.

“Lajmi për anulimin e tenderit është i mirë sepse as nuk do të duhej të shpallej ashtu ndonjëherë. Ishte e dhimbshme të dije se një projekt i nisur asisoji do të dështonte herëdokur. Pak ka rëndësi se doli ashtu siç e kisha thënë. Edhe më pak ka rëndësi se si arsyetimi i ndërtuar për shkarkimin tim u shemb vetvetiu. Kemi ende shumë për të parë e folur, por çdo gjë në kohën e vet.”

Sahatçiu ka shkruar se tenderi të mos rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet.

“Tash e rëndësishme është vetëm e vetëm që ky tender mos të rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet. E për ta bërë qysh duhet, dua të besoj se ekziston vullneti për të shtyrë përpara një proces digjitalizimi gjithpërfshirës që veçse kishte nisur mirë e është qëndisur gjatë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është vazhdimësi e hipokrizisë.”

Sahatçiu është shkarkuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili si arsye dha “ngecjen në fushën e digjitalizimit”.

“Në anën tjetër, kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znjsh. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, kishte shkruar Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *