Një zjarr i madh ka përfshirë një fabrikë bojrash në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të Maminasit.
Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit që ka përfshirë Deutsch Color-in. Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve të shmanget kalimi i automjeteve në autostradën Tiranë-Durrës-Tiranë. Ndërkaq, në vendngjarje ndodhen Policia dhe zjarrfikësit.
Shërbimet policore kanë ndërhyrë për të evakuuar dhjetëra qytetarë që ndodheshin në një lokal dasmash në zonë. Dasmorët kanë qenë duke festuar, kur zjarri masiv që ka përfshirë fabrikën ka ndërprerë gëzimin.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, ndërsa që në momentet e para operacioni i ndërhyrjes po ndiqet nga drejtuesit e policisë vendore të Durrësit, kreu i DVP Durrës Skënder Hita dhe kreu i shtabit të Emergjencave Civile për qarkun e Durrësit, prefekti Emilian Jani.
Për shuarjen e flakëve në fabrikën e bojrave në Maminas janë angazhuar 15 mjete zjarrëfikëse, 65 forca zjarrëfikëse, 200 forca policie dhe vullnetarë, raporton Top Channel.