Analisti Visar Ymeri, ka thënë se situata në veri mund të shkojë drejt një përshkallëzimi.
Kështu ka deklaruar ai në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
“Prej sot e tutje po tregohet se situata mund të shkojë drejt një përshkallëzimi dhe që prania e KFOR-it në njëfarë mënyrë ka marrë situatën përbrenda një kontrolli, gjë që do të ishte vështirë që situata të kontrollohej pa praninë e KFOR-it atje”, tha ai.
Në pasditen e së hënës, disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë lënduar gjatë intervenimit për shpërndarjen e protestuesve serbë në Zveçan.
Gjatë operacionit u dëgjuan shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa në drejtim të ushtarëve janë hedhur gurë, shishe dhe kokteje molotovi.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan.
Paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.