Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të besuarën e tij në fushën e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, janë parë duke bërë e dhënë deklarata kundërthënëse me njëri-tjetrin. Të mos qenit një linjë për një çështje është e pazakontë në Lëvizjen Vetëvendosje. Të paktën, kështu ka thënë në publik ish-pjesëtari i VV-së, Haki Abazi.
Ministrja Haxhiu përpara dy ditësh takoi marketin ‘Plus Center’, i cili bëri fushatë kundër produkte që importohen nga Serbia, shkruan Demokracia.com.
“Të nderuar nga vizita e Ministres së Drejtësisë së Republikës së Kosovës znj. Albulena Haxhiu ne Marketin dhe Fabrikën e Veglave “Plus”. Ministrja u njoh nga afër me zhvillimin e punës në kompaninë tonë, me mundësitë e zgjerimit dhe problematikat e tjera. Falenderojmë ministren për vizitën dhe përkrahjen në emër të kompanisë sonë”, thuhet në njoftimin e kompanisë që vizitoi Haxhiu përpara dy ditësh.
Një ditë më vonë, shefi i Haxhiut, Albin Kurti, takoi një grup tregtarësh kosovarë, ku në mesin e tyre rastisi të jetë edhe pronari i kompanisë “Elkos”, Ramiz Kelmendi. Ai qëndronte në krye të tregtarëve në Zyrën e Kryeministrit, kompania e së cilit radhitet në mesin e importuesve më të mëdhenj të produkteve serbe.
Megjithatë, raportet kaq të ngrohta nuk ishin gjithmonë kështu. Kurti opozitar më 2012-ën, me aktivistë të tjerë të VV-së, qëndronin më shumë se 12 orë në të ftohtë duke protestuar afër vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë. Albin Kurti në atë kohë deklaronte se po e mbron Republikën duke mos lejuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
“Do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe në orët në vijim, edhe në ditët në vijim, deri atëherë kur Qeveria e Kosovës do të thotë ‘tash do ta bëjë shtetin e dinjitetshëm, do ta mbrojë republikën’. Kufiri me Serbinë është ndërkombëtar, Serbia është shtet armik dhe nuk do të lejohet ndërhyja dhe hyrja e saj”, thoshte Kurti aso kohe, derisa qëndronte me protestuesit në dalje të Podujevës.
Kurti si kandidat për kryeministër edhe më 2019 ishte përplasur me Kelmendin.
Kurti e kishte takuar Amar Pushkën, për të cilin është raportuar se është larguar nga kompania e Ramiz Kelmendit vetëm pse ishte përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndaj këtij shkrimi të Kurtit ka reaguar ashpër ish-deputeti Ramiz Kelmendi, i cili i thoshte Kurtit pushka top t’u bëftë.
Kelmendi ndër të tjera shkruan “Albin, në Kosovë nuk ka regjime dhe nuk do ketë regjime. HARROJE!”.
Por duket se të gjitha këto Kurti e Kelmendi i kane harruar në takimin të cilin e kanë mbajtur sot dhe i kanë harruar hatërmbetjet e sotme.
Haxhiu-Kurti nuk kanë qenë një linjë përveç vizitave e takimeve edhe në deklarata. Kryeministri Kurti përgjatë ditës së djeshme rekomandoi gazetarët që të kërkojnë llogaridhënie nga Ministria e Drejtësisë për rastin e mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Deharit.
“Ministria e Drejtësisë duhet ta jap përgjigjen adekuate për këtë”, u deklarua shkurt Kurti dje.
Në anën tjetër, ministrja Haxhiu po në të njëjtën ditë drejtoi mediat tek Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Ministria e Drejtësisë tashmë është përgjigjur. Ju lutëm të drejtoheni në Prokurorinë Speciale të Kosovës, siç e dini Prokuroria Speciale është duke e hetuar këtë rast. Personi apo autoriteti kompetent është Prokuroria Speciale ne kemi dhënë përgjigje për gjithçka që kanë pyetur mediat, nuk mund të flasim më shumë se sa që kemi thënë, pra është në duar të Prokurorisë Speciale”, tha ajo.