Truprojat e Feros- Historia e vëllezërve problematikë nga Gjilani 

Incidentet në diskotekat e ndryshme në Kosovë nuk janë të rralla. Kërcënime, rrahje e tentim vrasje ndodhin shumë shpesh në këto lokale, sidomos gjatë sezonit veror. Edhe këta muaj ka pasur shumë raste të tilla, për çka janë arrestuar me dhjetëra të dyshuar. Në mesin e personave që njihen si problematikë të ‘clubeve’ janë edhe vëllezërit Shpresim e Shqiprim Xheladini nga Gjilani.

Ata u bënë të njohur për publikun në vitin 2019, kur në cilësinë e truprojave të reperit Fero u përfshinë në një rast të vrasjes në tentativë. Ky nuk është rasti i vetëm për të cilin dyshohen, pasi historia e tyre kriminale është e pasur edhe me vepra të tjera penale, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti i fundit për të cilin po dyshohen dy vëllezërit ka ndodhur para më shumë se një jave, në diskotekën Stop, ku fillimisht dyshohej se Shpresim Xheladini tentoi të vetëvritet, duke pësuar lëndime të rënda trupore pasi e kishte goditur veten në xhamat e dyerve. Ditën kritike, me urdhër të Prokurorit nisën hetimet për këtë rast, ndërkohë që pas disa ditësh u arrestua vëllai i tij, Shqiprimi.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se gjatë procesit të hetimit, janë marrë deklaratat e disa personave që kanë qenë prezent në momentin kur ka ndodhur incidenti në këtë diskotekë. Në mesin e tyre ka qenë edhe Shqiprimi, por i cili është intervistuar në cilësinë e të dyshimtit. Prokuroria ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se ka qenë i përfshirë në këtë rast, prandaj ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij.

Sinjali mëson se në këtë incident është i përfshirë edhe vet viktima, Shpresimi i cili po ashtu është intervistuar dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal, derisa të lirohet nga spitali ku po merr trajtim mjekësor dhe më pas të ndërmerren veprimet e tjera ligjore.

Ky i fundit, Shpresimi është i përfshirë edhe në një incident tjetër pikërisht në diskotekën ‘Stop’

Shpresim Xheladini bashkë me menaxherin e reperes Tayna, Rinor Hykollin, janë akuzuar për një rrahje, që kishte ndodhur në këtë diskotekë më 22 korrik të vitit 2021. Për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, ata akuzoheshin se ia kanë thyer hundën një personi.  

Në aktakuzën që ishte ngritur ndaj tyre, thuhet se ata kanë keqtrajtuar viktimën, duke e sulmuar fizikisht në zhveshtoren e kësaj diskoteke, ashtu që fillimisht Shpresim Xheladini e kishte thirrur viktimën dhe bashkë me të kishin hyrë në zhveshtoren për këngëtarë, aty ku i priste i dyshuari Rinor Hykolli.

Dy vëllezërit akuzohen edhe për tentim vrasjen e vitit 2019

Shpresimi dhe Shqipërimi dhe Liridon Qerimi janë akuzuar edhe për tentim vrasjen që ka ndodhur më 18 nëntor të vitit 2019 në Gjilan. Ata akuzoheshin se afër klubit të fitnesit “Parajsa”, kanë tentuar ta privojnë nga jeta Liridon Qerimin. Fillimisht ky i fundit kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, e më pas edhe ata kanë gjuajtur në drejtim të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *