Gjuajtjet me armë zjarri kohëve të fundit janë bërë shumë të shpeshta.
Dje pas mesnate një person ka gjuajtur me armë mbi 10 herë derisa ishte në lëvizje me një veturë, në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë, raporton Sinjali.
Policia u njoftua nga disa qytetarë për të shtënat me armë, me ç’rast dolën në vendin e ngjarjes dhe nisën kërkimet për ta kapur të dyshuarin.
I dyshuari, 52-vjeçar, është kapur në Mitrovicë dhe është kontrolluar nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme. Zyrtarët policorë ia gjetën atij armën e përdorur dhe një boks të hekurit, që u konfiskuan më pas.
Ndërkohë, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku para hetuesve policorë ka deklaruar se ka gjuajtur me armë “veç për qejf” dhe jo për ndonjë arsye tjetër. Përdorimi i armës dhe mbajtja e saj pa autorizim përbëjnë vepra penale dhe sanksionohen në bazë të Kodit Penal të Kosovës. Prandaj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të nisin hetimet për këto dy vepra penale.