Si të njohim në kohë simptomat e kancerit të testikulit?

Kanceri i testikulit prek kryesisht meshkujt dhe djemtë e rinj. Është mjaft e thjeshtë të njohësh ndryshimet e para të shkaktuara nga ky lloj i rrallë kanceri. Prandaj, çdo njeri duhet t’i ndiejë testikujt e tij rregullisht

Vetëm 1.6 për qind e të gjithë tumoreve janë kancer testikular. Por për ata që marrin një diagnozë të tillë, së pari vjen si një tronditje.

Mosha mesatare e të sëmurëve është ndërmjet 25 dhe 45-vjeç, por në rrezik janë edhe djemtë në pubertet nga mosha katërmbëdhjetë vjeç. E njëjta gjë vlen për këtë lloj kanceri si për të tjerët – sa më herët të njihet, aq më të mira janë shanset për trajtim.

Në rreth 80 për qind të rasteve, ky kancer zbulohet nga vetë pacientët në fazat e hershme.

Shoqata Gjermane e Urologjisë këshillon meshkujt nga mosha katërmbëdhjetë deri në dyzet e pesë vjeç që të kontrollojnë testikujt e tyre dhe nëse vërejnë ndonjë gunga ose ënjtje të fortë, të shkojnë menjëherë te mjeku. Duhet të kontrollohet një herë në muaj, madje edhe më mirë – një herë në javë.

Përveç kësaj, ndjesia se testikujt janë të rëndë mund të jetë një simptomë e kësaj sëmundjeje. Disa pacientë u ankuan gjithashtu për dhimbje në shpinë dhe qafë. Dhimbje të tilla rrallë shoqërohen me kancerin e testikulit.

Çfarë e shkakton kancerin e testikulit?

Kanceri i testikulit zakonisht fillon në një testikul. Një faktor rreziku për shfaqjen e sëmundjes është një testikul i ngritur – ai nuk ndodhet aty ku duhet të jetë anatomikisht. I ashtuquajturi testikul i pa zbritur gjendet në afërsisht tre për qind të foshnjave meshkuj. Në zhvillimin embrional, testikujt, të cilët fillimisht formohen në pjesën e poshtme të barkut, në atë përqindje të djemve nuk zbritën vetë në skrotum. Nëse kjo është vërtetuar, kërkohet terapi hormonale ose kirurgji. Në datëlindjen e parë të foshnjës, të dy testikujt duhet të jenë në pozicionin e duhur, përndryshe rreziku i kancerit të testikulit rritet.

Përjashtim bëjnë fëmijët e lindur para kohe. Për ta është normale që testikujt nuk janë ende në vendin e tyre, pasi ajo fazë e zhvillimit vjen relativisht vonë, kështu që testikujt mund të zbresin vetë.

Kanceri i testikujve është i lidhur edhe me para-dispozicion gjenetik: nëse një baba ose vëlla tashmë kishte kancer testikular, atëherë rreziku rritet. Hulumtimet tregojnë se ndikimi i mjedisit nuk është vendimtar për shfaqjen e këtij lloj kanceri.

Si trajtohet?

Në procedurën kirurgjikale, testikuli i sëmurë hiqet. Nëse sëmundja njihet në një fazë të hershme, shanset për një shërim të plotë janë 100%. Në fazën e mëvonshme, ato arrijnë në 70 për qind. Me gjithë paragjykimet, ky lloj operacioni nuk çon në impotencë apo infertilitet te meshkujt. Edhe pamja origjinale e testikujve rikthehet duke vendosur një implant silikoni.

Pas heqjes kirurgjikale të testikujve, vijon rrezatimi dhe kimioterapia. Kjo çon në efekte anësore të njohura si rënia e flokëve, rraskapitja dhe rreziku i shtuar i infeksioneve.

Në tetor, revista profesionale “The Lancet” publikoi një studim zviceran që përfshinte 116 pacientë me kancer të testikulit.

Rezultatet tregojnë se me kombinimin optimal të kimioterapisë dhe rrezatimit, pjesa e organizmit që duhet të rrezatohet reduktohet për 75 për qind. Kjo metodë e trajtimit prodhon më pak efekte anësore.

Instituti Robert Koch vlerëson se 4200 njerëz sëmuren nga kanceri i testikujve në Gjermani çdo vit. Në vitin 2019, 160 njerëz vdiqën nga sëmundja. Nëse kanceri rishfaqet pas terapisë, këto të ashtuquajtura rikthime zakonisht ndodhin brenda dy viteve pas përfundimit të terapisë. Por janë regjistruar raste të përsëritjes së sëmundjes edhe pas pesë vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *