Si po trajtohen në paraburgim Naim Murseli dhe të dyshuarit e tjerë për vrasjen e Liridonës? – flet drejtori i burgjeve

Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, tre të dyshuarit – Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla – janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës, pas caktimit të masës së paraburgimit.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka bërë të ditur se ende nuk është kategorizuar rasti dhe se personat e arrestuar nuk janë dalluar nga të tjerët.

Natyrisht deri më tani ata po trajtohen si të gjithë personat e tjerë. Nuk ka asnjë dallim,” ka deklaruar Dibrani në një intervistë për emisioni FIVE në RTV Dukagjini.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për tre të dyshuarit në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt.

Naim Murseli për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Granit Plavës për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Kreshnik Kokallës për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.

Liridona Ademaj u vra në Bërrnicë të Prishtinës më 29 nëntor. Bashkëshorti i saj, Naim Murseli, dyshohet se ka organizuar vrasjen e saj.

Në njoftimin e saj, gjykata ka dhënë detaje se si Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e Liridonës së ndjerë.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën Liridonën.

Gjykata thekson se për këto veprime i pandehuri Naim Murseli paraprakisht e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes.

Ai i kishte premtuar të pandehurit Granit Plavës shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *