Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha qytetarëve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme. E abuzimi me alkool është ndër shkaktarët më të shpeshtë të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Baicë të Drenasit, ku një burrë dyshohet se në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se për të parandaluar dhunën, mes tyre ka ndërhyrë djali i çiftit, i cili edhe e ka denoncuar rastin në Polici.
Sipas dëshmisë së tij, në momentin që ai ka tentuar të ndajë prindërit, nëna e tij e ka goditur me vegla pune (dana/pinca) në kokë babain, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore për çka ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore në spital.
Tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas kanë marrë edhe gruaja dhe djali, ndërkohë që të gjitha palët e përfshira janë intervistuar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit ndaj burrit dhe gruas është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.