Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Dita e Alfabetit, 22 nëntori, duhet të jetë festë kombëtare në Shqipëri.
Që kjo të jetë ditë feste edhe në Kosovë, Rama iu drejtua Presidentes Vjosa Osmani që edhe ajo t’ia përcjellë këtë porosit Kryeministrit të saj, Albin Kurti.
“Forca e një njeriu, e Arbën Xhaferit, që nuk jeton më, por i cili pati vizionin që të kërkojë që Dita e Alfabetit, 22 nëntori, të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Dhe unë mendoj që tani është dita që Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh, të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër që unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do t’ia japë këtë sugjerim Kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj Presidentin për veten time”.
Për këtë deklaratë u dëgjuan disa të qeshura në publik bashkë me presidenten Osmani dhe homologun e saj Bajram Begaj, që po qëndronin ulur afër njëri-tjetrit.