Pahor: Serbia do ta njihte Kosovën, nëse do ekzistonin liderë sikurse Merkeli

Ish-presidenti dhe kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, ka konsideruar se nëse do të ekzistonte dikush sikurse ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ai do të priste që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përfundimisht do t’i zbatonte obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 mars) dhe Aneksi i Implementimit (Ohër, 18 mars), përfshirë njohjen e Kosovës.

“Nëse do të ishte dikush sikurse ish-kancelarja Merkel, prej vitit 2011 deri në 2013, unë do të prisja që Vuçiçi t’i mbante premtimet që i ka bërë në Bruksel dhe Ohër dhe ta mbante Serbinë në anën perëndimore, por edhe të njihte Kosovën në njëfarë mënyre”, ka thënë ish-presidenti dhe kryeministri slloven në një intervistë për Radio Televizionin e Kroacisë (HRT) të mërkurën.

“Më kujtohet që ajo ka pasur një takim me [ish-presidentin e Serbisë, Boris] Tadiç dhe në fakt ka dashur të dëgjonte prej tij se ai ka qenë gati për një lloj njohje të Kosovës…”, ka thënë ndër të tjera politikani slloven, derisa ka shtuar se Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) presin nga Vuçiçi t’i zbatojë marrëveshjet e arrituara në kuadër të dialogut.

“Nuk është e nevojshme që ai ta njohë de jure Kosovën, por të bëjë diçka të madhe për të sjellë lehtësimin që nuk është tani”, ka theksuar Pahor.

Ai ka shtuar se edhe Kosova duhet të lëvizë drejt përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Ish-presidenti dhe kryeministri slloven ka folur edhe për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, duke thënë se nëse vërtetohet përfshirja e Serbisë në këtë akt agresor, atëherë rruga evropiane e shtetit serb do të ndryshojë në një mënyrë thelbësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *