Është ngritur padi ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha.
Kështu ka njoftuar avokati Arianti Koci, i autorizuar për përfaqësimin e Mulhaxhës.
Koci, përmes një postimi në facebook, ka thënë se padinë kundër këtij vendimi e kanë dorëzuar, dhe presin anulim të vendimit.
“Ju njoftoj se Shoqëria e Avokatëve Koci & Vokshi jemi autorizuar nga kolegu ynë përmbarues Ilir Mulhaxha, për ta përfaqësuar në rastin e shkarkimit të tij nga funksioni i Përmbaruesit Privat. Me këtë rast, dje kemi dorëzuar Padinë për anulimin e vendimit si dhe kërkesën për shtyerjen e ekzekutimit të këtij vendimi”.
Ai madje e ka quajtur të paligjshëm shkarkimin e tij, duke cenuar sigurinë juridike në Kosovë.
Ilir Mulhaxha është vëllai i deputetes nga radhët e LVV-së Fatmire Kollçaku-Mulhaxha.
Me 28 shkurt, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte marr vendim për shkarkimin e përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha
Në arsyetimin e shkarkimit të Mulhaxhës, Ministria e Drejtësisë kishte thënë se Komisioni Disiplinor për Përmbarues ka gjetur shkelje disiplinore pasi që i njëjti gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore në kuadër të aktivitetit të tij, nuk iu ka përmbajtur ligjit.