Ka filluar seanca fillestare ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanitm, në gusht të vitit 2021.
Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kurse, nga informacionet që Prokuroria thotë se ka marrë nga Policia, vërtetohet se Dardan Krivaqa që nga viti 2006 ka qenë i dyshuar për 133 vepra të ndryshme penale. Edhe Arbër Sejdiu ka disa vepra penale.
Në detajet nga aktakuza e ngritur, thuhet se më 21 gusht 2021, Dardan Krivaqa në banesën e tij pa pëlqimin e tanimë të ndjerës e detyron atë të kryejë marrëdhënie seksuale.
“…me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup”, përshkruan tutje aktakuza, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari tjetër Arbër Sejdiu, akuzohet se me dashje ka ndihmuar në kryerjen e dhunimit nga ana e Dardan Krivaqës. Aktakuza përshkruan se dy të akuzuarit ishin takuar në qytet dhe pasi ishin kthyer bashkë në banesë, Sejdiu ishte në dijeni për dhunimin që po i bëhej tani të ndjerës.
“Po ashtu dhe gjatë asaj kohe përcjell gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari, po ashtu edhe disa herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, gjatë gjithë kohës bisedojnë mes vete dhe i jep të pandehurit Dardan Krivaqa telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që është e vendosur në korridorin e banesës me qëllim të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale”, thuhet tutje në aktakuzë.
Pas kësaj, sipas aktit akuzues me qëllim të fshehjes së veprës penale “Dhunimi”, e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani.
“…në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”, thuhet në aktin akuzues.
E gjithë kjo, sipas prokurorisë vërtetohet edhe përmes pamjeve të kamerave të cilat kanë qenë banesën e të akuzuarit Krivaqa. Një kamerë e cila ka regjistruar nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së dhomës së gjumit, si dhe një dhome të cilën e kapë vetëm një qosh, ku prokuroria thotë se është kryer edhe vrasja.