Në publikimin e përgjimit ku dëgjohet teksa shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari flet me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq u përmend edhe Milan Radojçiq ndaj të cilit ka urdhërarrest ndërkombëtar. Simiq ia rikujton Kusarit një bisedë që e ka zhvilluar me Radojçiqin.
Kusari në hollin e Kuvendit dje e mohoi të ketë komunikuar me Radojçiqin, përkundër se në audio-incizim e pohon se ka biseduar me të për rreth 3-4 minuta.
E pyetur nga gazetari, Kusari tha se ka refuzuar dhe i ka rezistuar komunikimit me Radojçiqin, shkruan Insajderi.
Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radojçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues këtu që ishin, përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar dhe i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çfarë kanë pasur Lista serbe me Milan Radojçiqin është çështje e tyre, e kanë nënkryetar, ai dihet se si është dhe në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin që do të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person”, deklaroi Kusari.
Deklaratat e Kusarit çuditërisht ndryshuan në mbrëmje.
Në një intervistë në RTV Dukagjini, Kusari tha se është e vërtetë që ka komunikuar me Radojçiqin por në interfon.
Ajo theksoi se komunikimi ka ndodhur vetëm një herë dhe atë në gjuhën shqipe.
“Nuk kam pas aq kohë sa me hy në detaje të akuzës së tij, nuk ka qenë e vërtetë që kam bisedu 40 minuta por 3-4 minuta. Këtë kurdo mundem me e konfirmu që kjo biseda e shkurtër tre minutshe në gjuhën shqipe në interfon në zyrën time ka qenë vetëm një herë dhe asnjëherë tjetër nuk ka pas as komunikim as koordinim”, tha Kusari