Kurti: Shoqërimi i kryetarëve me policë s’ishte vendim politik, por vlerësim i rrezikshmërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës u shoqëruan me forca të sigurisë për shkak se është dashur të sigurohet hyrja e tyre në objekte komunale pa pengesa. 

Këto deklarata kryeministri Kurti i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për situatën në veri të Kosovës. Ai theksoi se ky nuk ishte vendim politik.

“Në këtë pikë më duhet të theksoj se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forca të sigurisë është vlerësim i institucioneve të sigurisë që vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra nuk është vendim politik, por unë si kryetar e mbështes këtë – edhe atëherë, edhe sot”, deklaroi Kurti.

Ai tha se e mbështet këtë vendim pasi që incidentet në ditët në vijim e dëshmuan se kishte rrezik për sulme nga “banda kriminale”.

Ai shtoi se eskalimi i situatës më 29 maj – kur ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar – ishte “e planifikuar mirë” dhe e orkestruar nga Beogradi.

Kurti tha se protestat e organizuara në komunat në veri të Kosovës nuk janë vullnet i serbëve lokalë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.

“Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet para objekteve, janë pjesë e bandave kriminale, por janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ai, gjithashtu, tha se tani është fjala për “çlirimin e komunitetit serb nga milicia fashiste” dhe se ky komunitet ka nevojë për pluralizëm politik.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se kryeministri është ftuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës të deklarohet për situatën e krijuar në veri dhe për raportet me SHBA-në./rel/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *