Kurti: Diplomatët e huaj më kërkuan ta kursej Serbinë dhe Vuçiqin, prisnin se do të orientohet kah perëndimi

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se diplomatët e huaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi i kanë thënë që të “kursehet Serbia, Beogradi dhe presidenti i saj” nga kritikat.

“E mbaj mend shumë mirë muajin mars të vitit të kaluar kur neve në Kosovë na thoshin, ju lutem, mbase kursejeni Serbinë, Beogradin, presidentin nga retorika e kritikës së ashpër, për shkak se pas datës 3 Prill, kur do të mbahen zgjedhjet e Serbisë ata do ta ndryshojnë orientimin dhe do të jenë tërësisht të drejtuar kah perëndimi. 

Nuk ndodhi, pra duhet t’i nxjerrim disa mësime, pritjet që kanë ekzistuar ndaj presidentit aktual nga ana e perëndimit nuk janë realizuar, kujt ia kishte marrë mendja kur ka ndodhur invazioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë që bëhen 1 vit e 4 muaj edhe ende Serbia mbetet shteti i vetëm në Evropë që nuk i vendos sanksione Rusisë, përkundrazi, në vitin e kaluar, ata në shtator në margjinat e samitit të Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të jashtme të Serbisë, Selakoviq asokohe, dhe ai i Rusisë Lavrov bëjnë marrëveshje për koordinim në politikën e jashtme”, ka thënë Kurti për “The Geopost“.

Kurti, ka thënë se Rusia po e përdor Serbinë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Unë e kam të qartë se Rusia është e interesuar për destabilizimin e Ballkanit dhe për këtë e përdor Serbinë. Mirëpo në anën tjetër edhe Serbia është e gatshme që vazhdimisht t’i ngacmojë fqinjët, herë Bosnje e Hercegovinën, herë Malin e Zi e herë Kosovën sepse vetëm në këtë mënyrë ajo mund ta shmangë vëmendjen nga kriza e brendshme që ka, sepse asnjë popull nuk mund të qëndrojë gjatë pa liri. Tash, fakti që thotë duhet të shkaktojë probleme, nuk do të duhej që ne të lëshojmë pe vetëm që ata të mos shkaktojnë probleme.

Nëse ata duan të shkaktojnë probleme ne duhet t’i rezistojmë tendencës së tyre, mirëpo edhe me kushtin e nënshtrimit tonë. Në këtë aspekt pa dyshim që edhe Ujqit e natës edhe Wagnerët kanë qenë në rajonin e Ballkanit, janë në Serbi dhe ne kemi të dhëna se kanë qenë gjatë muajit dhjetor në veri të Kosovës e tash po i mbledhim edhe të dhënat për ndikimin e tyre eventual në sulmet e 26 dhe 29 majit kundër policisë sonë, ushtarëve të NATO-s dhe gazetarëve. Bëhet fjalë përgjithësisht për njerëz të cilët, jo vetëm se janë kriminelë të cilët kanë bërë krime, por hapur e thonë që do të bënin sërish krime”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ndërkaq ka potencuar se është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë.

“Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e KUINT-it në Kosovë dhe natyrisht që kur u njoh procesi zgjedhor të cilin e patëm shtyrë për katër muaj në katër komunat në veri, kur u njoh rezultati, kur u njoh betimi ne nuk kishim tjetër zgjidhje përveçse kryetarët të fillojnë punën në vendin e tyre”, ka deklaruar Kurti. /Reporteri.net/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *