Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se i takon Bashkimit Evropian të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen me Serbinë ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme.
Ai ka potencuar se në Ohër kanë shkuar me qëllime të mira dhe kanë treguar mirëbesim gjatë takimeve të djeshme.
Kurti ka falënderuar të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të dërguarin e posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për angazhimin, si dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen.
“Ne erdhëm në Ohër me qëllime të mira dhe treguam mirëbesim gjatë takimeve të djeshme. Falënderoj Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar, për angazhimin e tyre të palëkundur. Po ashtu Maqedoninë e Veriut për mikëpritje shumë të ngrohtë. Tash kemi arritur marrëveshje për aneksin e implementimit të Marrëveshjes Bazë. Serbia – si në takimin e fundit në Bruksel – shmangu nënshkrimin e Marrëveshjes, e tash edhe të Aneksit. Mbetet te BE-ja të gjejë mekanizëm për të bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, ka shkruar Kurti në Twitter./lajmi.net/