Ende po vazhdojnë bastisjet për konfliktin që ndodhi mbrëmë në Skenderaj, ku mbetën të plagosur dy policë.
Katër familjarë të Nuredin Lushtakut po cilësohen si të dyshimtë.
Përveç Nuredinit edhe vëllezërit e tij, Fatoni e Arifi, si dhe djali i tij, Arbri, po dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast, raporton Sinjali.
Nuredin Lushtaku bashkë me njërin nga vëllezërit janë dorëzuar në Polici, ku po merren në pyetje nga hetuesit policorë për ngjarjen që ndodhi mbrëmë. Burimet brenda Prokurorisë thonë se edhe më tutje mbeten në arrati dy nga të dyshuarit kryesorë.
Në anën tjetër, Policia po vazhdon bastisjet për të mbledhur prova që ndërlidhen me rastin.
Në një njoftim për media, Policia ka njoftuar se dy zyrtarët policorë janë plagosur në një pikë kontrolli.
“Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pikë të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta”, thuhet në njoftim.
Sipas informatave të para, sherri dyshohet se nisi kur policia e ndali në pikë kontrolli djalin e gjeneralit Nuredin Lushtaku, të cilit i shqiptoi një tiketë trafiku. Kjo u bë sebep që ai të thërras babain e tij, i cili sapo arriti në pikë kontrolli, filloi sherrin më policinë. Në konflikt dyshohet se u përfshinë edhe vëllezërit Lushtaku.