Hovenier për Radojiçiq: U përfshi në sulm, ai ishte në ngjarje me zyrtarë të lartë serbë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, pasi u konfirmua se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Raodjiçiq ka marrë pjesë në sulmin terrorist në veri të Kosovës, e ka përmendur faktin se ky i fundit, kishte marrë pjesë në disa ngjarje me zyrtarë të lartë serbë.

Hovenier për “BBC”, citohet të ketë thënë se “sulmuesit serbë nuk i siguruan armët vetë”, duke iu referuar sasisë dhe cilësisë së armatimit të gjetur.

Kjo përgjigje e ambasadorit erdhi kur gazetarja që po e intervistonte, e pyeti nëse pajtohen me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që autoritetet serbe kanë qenë të lidhura me sulmin.

“Tani, po ashtu, ne e dimë se një individ i cili ishte nënkryetar i njërës nga partitë serbe në Kosovë, për të cilin dihet se ka marrë pjesë në ngjarje me zyrtarë të lartë serbë, njoftoi përmes avokatit të vet se ai ishte organizator i kësaj ngjarjeje dhe se ai ishte i pranishëm.” – ka thënë ai.

Ambasadori ka folur edhe për vendosjen e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, duke thënë se kjo nuk është vetëm diçka që u bë për ndonjë “ushtrim”, por SHBA-ja e konsideron “shqetësuese dhe destabilizuese”.

“John Kirby e tha që e dijmë se ka një vendosje të madhe të ushtrisë…nuk është një shpërndarje vetëm për ushtrime, është diçka që e konsiderojmë shqetësuese dhe destabilizuese.” – deklaroi ai.

Ambasadori u pyet edhe nëse ShBA është e shqetësuar me krejt këtë situatë, duke u përgjigjur se “jemi shumë të shqetësuar”.

“Jemi të shqetësuar, kemi qenë shumë të përfshirë për menaxhimin e situatës. Kemi parë një cikël shqetësues të rritjes së tensioneve muajt e fundit, më së fundi, shtunën e kaluar kur një grup i armatosur i koordinuar vranë një polic…dhe lanë shumë armatim ushtarak. Ky sulm duhet të dënohet, duhet të përballet me drejtësinë.” – u shpreh ai.

Kërkesa e ShBA-së dhe BE-së

Mbrëmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot Bashkimi Evropian – të dyja kërkuan nga Serbia që t’i tërheqë menjëherë trupat nga kufiri me Kosovën.

Kjo thirrje fillimisht u bë nga Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby i cili u shpreh si vijon:

““Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet.”

Ndërkohë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë se veprimi i Serbisë është shumë shqetësues.

“Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë.’ – ka deklaruar ai.

Ai ka vlerësuar se BE-ja është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *