Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se nesër guvernatori i BQK’së, Ahmet Ismaili, do të raportojë në Komisionin Parlamentar për Buxhet për takimin në Bruksel për rregulloren që ndalon dinarin.
“Me kërkesë të opozitës, nesër në orën 12:00, në Komisionin Parlamentar për Buxhet raporton Guvernatori i BQK-së lidhur pjesëmarrjen e tij të pakuptimtë dhe pa asnjë autorizim ligjor në dialog në Bruksel për rregulloren për përdorimin e valutave të huaja në Kosovë.”
Hoti ka thënë se Qeveria e detyroi BQK’në të përfshihet në dialog në mënyrë joligjore.
“Edhe pse BQK-ja është institucion i pavarur kushtetues, Qeveria e detyroi atë të përfshihet në dialog në mënyrë joligjore.”
Ai e konsideron shqetësuese që Qeveria dhe BQK nuk kanë pranuar kërkesat për shtyrje të zbatimit të rregullores.
“Shqetësues mbetet fakti se Qeveria dhe BQK-ja nuk pranuan kërkesat e aleatit kryesor të Kosovës për shtyrje të zbatimit të rregullores. Por pranuan të ulen në tavolinë me palën serbe me kërkesë të ndërmjetësit”, ka shkruar Hoti në Facebook.