Escobar para takimit në Ohër: Rezultate do të kemi, por ndoshta jo edhe marrëveshje finale

I dërguari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për pritjet e tij nga takimi i nesërm Kurti-Vuçiq në Ohër, pas vizitës që pati në Kosovë dhe Beograd.

Escobar është shprehur optimist për rezultate, mirëpo pati edhe rezervime mbi arritjen e një marrëveshjeje finale, përcjell gazeta online Reporteri.net.

“Rezultate do të kemi, por dëshiroj të tërheq vërejtjen se ndoshta nuk do të kemi marrëveshje finale. Do të punojmë drejt përfundimit të Aneksit, por pres shumë përparim”, deklaroi Escobar.

Emisari amerikan theksoi se nesër në Ohër, fokusi do të jetë në dakordimin për aneksin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

“Absolutisht mendoj se është çështje e realizmit. Pra, të dy palët janë pajtuar me Marrëveshjen Bazë – ato 11 pikët fillestare që janë pranuar, pa ndonjë kusht apo ndryshim dhe tani është çështja e Aneksit të zbatimit. Pra, të gjitha pikët do të përfshihen në Aneksin e zbatimit, por vetëm mbetet se si t’i formulojmë që të bëhen të arritshme”, tha ai.

Nga takimet që zhvilloi fillimisht në Beograd, e pastaj në Kosovë, me liderë të shtetit dhe ata të opozitës, Escobar tha se e ka parë që të dy palët e kuptojnë rëndësinë e takimit të nesërm.

E“Në të dy shtetet, në të dy kryeqytetet, pata një varg takimesh jo vetëm me liderët qeveritarë, por edhe ata opozitarë, si dhe me figura tjera të rëndësishme. Çka mund të kuptoj nga e tërë kjo është se të dy palët e kuptojnë rëndësinë e ditës së nesërme. Të dy palët e kuptojnë se kjo marrëveshje e mundshme mund të çbllokojë shumë mundësi. Pra, jam paksa optimist”, tha Escobar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *