Dy blloqe të Korporatës Energjetike të Kosovës, A3 dhe B1, kanë qenë jashtë funksioni nga orët e para të mëngjesit. Përderisa njësia A3 është rikthyer në punë, B1 vazhdon të jetë jashtë operimit.
Nga Korporata Energjetike e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se blloku A3 ka dalë jashtë funksionit sot në ora 06:39, por se është rikthyer në punë rreth orës 13:13.
“Ju njoftojmë se njësia A3 e TC Kosova A, në ora 06:39 minuta ka dalë nga puna për arsye të renës së transformatorit T3A për arsye të veprimit të mbrojtjes elektrike, falë intervenimit të shpejtë të komisionit teknik është bërë vlerësimi i gjendjes së njësisë A3 dhe pas kontrollimit të gjitha pajisjeve elektrike nga ekipet e mirëmbajtës në bashkërendim me ekipet e prodhimit, është arritur që njësinë A3 të rikthehet në punë rreth orës 13:13. Momentalisht njësia A3 është në operim dhe gjendja e saj është stabile”, thuhet në përgjigjet e zëdhënësit të KEK’së, Skënder Bucolli.
Ndërkohë, blloku B2 thotë se është ndalur menjëherë pas mesnatës për shkak të rritjes së vazhdueshme të humbjeve të ujit në systemin gypor të kaldajës.
Sipas tij, njësia pritet të kthehet në operim nesër në mëngjes.
“Ndërsa njësia B1 e Termocentralit Kosova B për shkak të rritjes së vazhdueshme të humbjeve të ujit në sistemin gypor të kaldajës është ndalur sot me dt: 07.03.2024 në ora 00:15 min. Ekspertet e TC Kosova B kanë arritur me sukses të bëjnë defektazhen dhe janë duke punuar në eliminimin e defekteve dhe pritet qe njësia te rikthehet ne operim nesër me dt; 08. 03.2024 rreth orës 03:00 – 04:00”, thuhet në përgjigje.
Për ndalimin e kësaj njësie, KEK thotë se “konform marrëveshjeve kontraktuale furnizuesi publik është njoftuar me kohë”.