Bieber: Vuçiçi përfiton nga përshkallëzimi në veri – përgjegjësia për dhunën qëndron tek Beogradi

Florian Bieber, studiues i Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, në një prononcim për gazetën gjermane “Tagesschau”, tha se nga përshkallëzimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës më së shumti përfiton presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe Rusia, rrjedhimisht presidenti rus, Vladimir Putin.

“Serbia del mirë nga kjo dhe është pozitive për Rusinë. Rusisë i pëlqejnë trazirat në Ballkan. Jo sepse kjo i sjell diçka Rusisë, por është një manovër për tërheqjen e vëmendjes. Rusisë i ndihmon ta paraqesë të dobët perëndimin dhe i mban marrëdhëniet me Serbinë”, tha Bieber.

“Në të njëjtën kohë Vuçiçi nuk i ka prishur marrëdhëniet me Perëndimin dhe kështu ai i ka mbajtur të gjitha dyert të hapura, ashtu siç e bën këtë prej një dekade”, theksoi ai, ndërsa shtoi se adresimet e drejtpërdrejta të fajit për këtë situatë nuk janë të peshuara mirë.

“Dhuna nuk erdhi në fund të fundit nga autoritetet kosovare të sigurisë. Duhet kërkuar me kujdes se kush është përgjegjës për këtë dhunë. Ka arsye të forta për të besuar, se përgjegjësia qëndron tek Beogradi”, potencoi Bieber.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, janë shprehur të gatshëm t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë dhe të pajtohet për rizgjedhje në komunat veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – pas tensioneve të fundit atje.

Në korrik të këtij viti, kryetarët e rinj të komunave veriore – Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Erden Atiq dhe Izmir Zeqiri – japin dorëheqje nga detyra ndërsa presidentja Osmani shpall zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat, sipas një dukumenti ekskluziv të siguruar nga Albanian Post, duhet të mbahen jo më larg se fillimi i shtatorit 2023.

Ndërkaq, me pasoja tepër serioze është kërcënuar Qeveria e Kosovës po që se nuk përmbush tri kërkesa “të qarta” të partnerëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës, tha Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.

Borrell nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, do të tregonte tri kërkesat që ia kanë paraqitur të enjten Franca dhe Gjermania presidentes Osmani dhe të cilat, autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin menjëherë ngase në të kundërtën “do të ketë pasoja serioze” për shtetin më të ri në Evropë.

“Zgjedhje të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asocicionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten e 26 majit, me vendim të njëanshëm të kryeministrit Kurti, realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partnere të QUINT-it – Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – e kanë bërë ekskluzivisht fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Ende në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja atje nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh të dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *