Telenovelës rreth zëvendësuesit të Manuel Neuerit në portën e Bayern duket se i ka ardhur fundi.
Siç shkruajnë shumë media gjermane dhe zvicerane, Yann Sommer do të zëvendësojë “gardianin” e njohur, i cili do të qëndrojë jashtë deri në fund të sezonit pasi pësoi një frakturë në këmbë teksa po bënte ski.
Pasi Borussia Mönchengladbachut refuzoi ofertën e dytë të Bayernit në fillim të javës, të dyja palët përfunduan duke arritur një marrëveshje të mërkurën.
Prandaj, portieri zviceran nuk u stërvit me shokët e tij dhe u nis për në Mynih për t’iu nënshtruar testeve përkatëse mjekësore dhe për t’u bërë lojtar i ri për kampionin e Bundesligës.
Gjithmonë sipas medieve gjermane dhe zvicerane, Bayerni do të paguajë gjithsej 8 milionë euro për transfertën, plus 1.5 në varësi të objektivave. Sommer do të nënshkruajë një kontratë në Allianz Arena deri në vitin 2025.